S’na ka faj Evropa
Askush nuk i ka faj kryeministrit Hashim Thaçi për faktin se nuk po ec shpejt procesi i liberalizimit të vizave. Ky është komenti i përfaqësuesve të opozitës dhe analistëve politikë, lidhur me deklaratën e kreut të Ekzekutivit, i cili ka thënë se pengesë për procesin e liberalizimin e vizave janë vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Në një prononcim për Telegrafin, anëtarja e Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, ka deklaruar se qeveritarët e Kosovës tentojnë që fajin ta hedhin tjetërkund, ndërsa kriteret për liberalizim janë krejtësisht teknike dhe nuk kanë të bëjnë me vullnetin politik të vendeve që nuk e kanë njohur vendin.
“Në fakt, ky proces më shumë lidhet me shtetet që na kanë njohur, sepse numri më i madh i kosovarëve migrojnë në ato vende, prandaj edhe riatdhesimi bëhet prej atje. Askush nuk i ka faj Qeverisë që është zhytur në afera korruptive dhe e ka dëmtuar këtë proces, në dëm të qytetarëve’, ka thënë Osmani.
Ndërsa, njohësi i politikave evropiane, Emrush Ujkani ka deklaruar për Telegrafin se kryeministri Thaçi ka të drejt të mendojë se këto pesë vende ende mund të paraqesin pengesa në aspektin ligjor, por paraprakisht duhet shtruar pyetjen se a janë arritur me të vërtetë të përmbushen detyrimet tona.
Ujkani ka deklaruar se aferën lidhur me pasaportat biometrike nuk e ka krijuar BE-ja dhe as pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën.
“Në kohën kur në tre muajt e fundit ka pasur disa afera, veçanërisht në sektorin e punëve të brendshme, që njëherësh është edhe bartësi kryesor i procesit të liberalizimit të vizave. Pa dashur për të paragjykuar situatën, mendoj që vet fakti që është përfolur për afera të tilla është e mjaftueshme që vendet anëtare të BE-së dhe Komisionit Evropian të kenë ardhur në një konkluzion të tillë”, ka thënë Ujkani.
Ndërkohë, në raportin e fundit të Komisionit Evropian është vlerësuar se nuk ka pasur progres për luftimin e korrupsionit, e si shembull është përmendur edhe skandali i pasaportave në MPB, ndërkohë që ka pasur edhe vërejtje të tjera. /Telegrafi/