Serbia s’e jep veriun për datën e negociatave
Beograd, 13 shkurt – E përditshmja e Beogradit, “V. Novosti”, pohon e sigurt se pas një jave Serbia do ta ketë situatën më të qartë – sa është e qartë marrja e datës në qershor dhe cilat kompromise të dhimbshme rreth Kosovës duhet t’i “gëlltisë” Beogradi për të fituar atë rezultat.
Pozicionet aktuale janë të qarta: Gjermania e Prishtina kërkojnë “largimin e institucioneve paralele në Kosovë, ndërsa Beogradi angazhohet për zgjidhje gjithëpërfshirëse në kuadër të të cilës populli serb në Kosovë do të fitojë institucionet e veta autonome, shkruan kjo gazetë.
Kushti thelbësor i Brukselit është “normalizimi i marrëdhënieve midis Beogradit e Prishtinës” i cili duhet të arrihet përmes dialogut.
Ulrike Lunaçek ka paralajmëruar se temë e vazhdimit të dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit do të jetë “Institucionet paralele serbe në pjesën veriore të Kosovës” – Puna e shërbimeve të sigurimit, policia e gjyqësia në veri të Kosovës. Marrëveshja për pikëkalimet kufitare po funksionon.
Por, drejtori i Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Aleksandër Vulin ka thënë: “Serbia nuk do ta japë veriun e Kosovës për datën e fillimit të negociatave mbi asocimin në BE…”