LDK: Nuk ka viza nga paaftësia dhe abuzimet e Qeverisë
Qytetarëve të Kosovës edhe më tej do t’ju mohohet një nga të drejtat dhe liritë themelore të tyre, pra liria e lëvizjes, pikërisht për shkak të mospërgjegjësisë, paaftësisë dhe abuzimeve të Qeverisë së Kosovës. Kryeministri Thaçi pat deklaruar disa herë se regjimi i vizave Shengen për qytetarët e Kosovës do të hiqet deri në fund të vitit 2012. Madje ai me ministrat e tij premtonin se obligimet do të përmbushen në afat rekord. Tani, publikimi i Raportit për liberalizim të vizave dëshmon se jo vetëm që nuk është shënuar ndonjë hap përpara, por Kosova po shënon regres në shumicën e fushave, përfshi këtu edhe sundimin e ligjit, lufta kundër korrsupsionit, reformat ekonomike, politikën e jashtme etj. Ky Raport ka dëshmuar edhe një herë mashtrimin që po i bëhet opinionit publik. Këto kanë qenë vetëm detyra teknike, por me një Qeveri të paaftë, sikur kjo, shpresat e qytetarëve për lëvizje të lirë çdo ditë po zbehen, thuhet në një komunikatë të LDK-së, të lëshuar nga konferenca për shtyp, të mbajtur sot, e që iu kushtua raportit për liberalizimin e vizave .
Në komunikatë thuhet se në pesë vjetorin e pavarësisë, qytetarët e Kosovës prapë mbesin të izoluar, për shkak të ngecjeve në këto fusha kryesore:
1. Procesi i riatdhesimit: Raporti përmend ngecjet në procesin e riatdhesimit, respektivisht moskthimin e përgjigjes nga autoritetet e Kosovës kërkesave për riatdhesim. Edhe pse buxheti i Kosovës për riatdhesim është shumëfishuar në 2-3 vitet e fundit, dhe vitin e kaluar janë ndarë 1.5 milion, nuk vërehet ndonjë përmirësim i situatës. Kjo është bërë për shkak të keqmenaxhimit të fondeve publike si dhe nivelit të ulët të profesionalizmit të një pjesë të zyrtarëve që merren me këtë proces, të cilët janë aty për shkak të nepotizmit dhe punësimeve ilegale. Në raport poashtu thuhet qe statistikat e riatdhesimit të kosovarëve që jepen nga shtetet anëtare, nuk përputhen me statistikat e autoriteteve të Kosovës. Këtu pra, ose kemi falsifikim ose fshehje të statistikave. Si duket Qeveria Thaçi është mësuar me falsifikime të numrave, dhe ka menduar që meqë e bënë këtë në Kosovë, mund ta bëjë edhe në raport me shtetet e Schengenit. Sa i përket legjislacionit për migracionin dhe azilin në Republikën e Kosovës, Raporti nxjerrë në shesh paaftësinë e kësaj Qeverie që madje edhe ligjet t’i hartojë e aprovojë në harmoni me legjislacionin e BE-së. Të gjitha këto po rezultojnë me ulje të kredibilitetit të Kosovës, dhe nëse krahasohen statistikat e refuzimeve të hyrjeve të kosovarëve në zonën Shengen, ato janë rritur nga 315 në vitin 2010 në 645 në vitin 2011.
2. Siguria e Dokumenteve: Skandali i pasaportave i ka dhënë një sinjal shumë të keq investitorëve potencial të cilët janë dekurajuar jashtëzakonisht shumë nga aferat e tilla korruptive. Vetëm në shtete të botës së tretë që kanë premisa diktatoriale, në raste të tilla nuk ka dorëheqje ose shkarkim. Për më tepër, raporti përmendë edhe mashtrime dhe veprime të tjera ilegale në lëshimin e pasaportave e letërnjoftimeve me identitet të rrejshëm. Kjo është shumë serioze, sepse pikërisht në këtë mënyrë mund të bëhet hyrja e personave të rrezikshëm e krimineleve në shtetet e tjera duke përdorë identitet të rrejshëm. Si pasojë e kësaj, ata që më së shumti pësojnë janë qytetarët e rëndomtë. Një brengë tjetër e përmendur në Raport janë mbi 6000 pasaporta të deklaruar të humbur në Kosovë, të cilët nuk janë regjistruar në regjistrin qendror të dokumenteve të humbura në Interpol. Gjithashtu, Qeveria e Kosovës, thekson Raporti, ka dështuar t’i njoftojë shtetet anëtare për çertifikatat e sigurisë së pasaportave biomentrike. Madje nuk përfundon gjithëka me MPB-në, sepse kemi pasur raste të ngjashme edhe në MPJ, ku u janë lëshuar nota verbale për viza njerëzve të cilëve nuk u takon një gjë e tillë me ligj. Këto veprime, jo vetëm që kanë dëmtuar kredibilitetin e institucioneve, por janë konsideruar se paraqesin rrezik edhe për sigurinë e atyre shteteve ku kanë dashur të shkojnë ata njerëz me nota verbale të falsifikuara.
3. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit: Problem kryesor, sipas këtij raporti, mbetet krimi i organizuar dhe korrupsioni, dukuri këto që kanë ngulfatur ekonominë në vend. Në raport theksohet trafikimi në rritje i substancave narkotike nga Afganistani në Turqi dhe nëpërmjet Kosoves në botën perëndimore. Një pasqyrë e tillë negative dëmton imazhin e Kosovës në nivel ndërkombëtar. Ketu ka ndikuar edhe mosperfshirja ose mos anëtarësimi i Kosovës në mekanizma dhe nisma të karakterit të sigurisë si Interpol, Europol, CEI (Central Europian Initiative) dhe nisma tjera të rëndësishme rajonale të sigurisë. Mbetja e Kosovës jashtë këtyre mekanizmave vështirëson shumë punën e organeve të sigurisë së Kosovës për luftimin e këtij krimi. Korrupsioni përdoret gjithsej 47 herë në këtë raport 23 faqesh. Një aspekt shumë i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit është mungesa e programeve për mbrojtjen e dëshmitarëve, meqë akoma nuk ka asnjë program apo strategji, qoftë afatshkurtë, qoftë afatmesme, për mbrojtjen e dëshmitarëve. Përkundër kësaj, ne i ftojmë qytetarët që ta konsiderojnë lajmërimin e krimit dhe korrupsionit si një detyrë patriotike në të mirë të vendit dhe ta denoncojnë atë kudo që e shohin apo ballafaqohen me të.
4. Ndërhyrjet politike në gjyqësor: gjithashtu zënë një vend të veçantë në këtë raport. Aty thuhet se ndërhyrjet politike kanë vazhduar edhe më tej në sistemin gjyqësor. Ne si LDK e kemi përmendur edhe më parë se ndërhyrja e Qeverisë në punën e institucioneve të pavarura si Kuvendi, Gjykatat, RTK dhe Agjencitë tjera të pavarura është e patolerueshme për një shtet i cili aspiron të anëtarësohet një ditë në Bashkimin Evropian. Kjo ndërhyrje prishë balancin e pushteteve dhe vështirëson punën e tyre dhe rrjedhimisht krijon premisa të tiranisë. Ndërhyrjet e tilla janë kundër vlerave evropiane dhe e rrezikojnë stabilitetin e sistemit politik dhe kushtetues të Kosovës.
5. Administrata publike: mbetet një sfidë që nuk është adresuar sa duhet. Është e kotë të miratohet legjislacion kur ai nuk implementohet nga vetë Ministritë që i propozojnë ato ligje. Institucionet janë të stërmbushura me njerëz që pa i plotësuar kriteret depërtojnë aty për shkak të nepotizmit dhe militantizmit partiak, përderisa njerëzit që vërtetë e meritojnë të jenë aty mbesin jashtë. Madje edhe legjislacioni sekondar për shërbimin civil, i cili është kërkuar në udhërrefyes nuk është bërë në masë të madhe.
Prandaj, në tërë këtë proces, e tëra që ka ofruar Qeveria Thaçi janë politikat deklarative dhe mediale, përderisa veprimet konkrete për të ecur përpara në këtë mungojnë. Pra kemi të bëjmë me një Qeveri të paaftë profesionalisht dhe të painteresuar politikisht për të përmirësuar jetën e qytetarëve, thotë LDK në konferencën për shtyp.