Kalo te lënda

“Kosova A” pensionohet më 2017

fotoTermocentrali “Kosova A” në Obiliq konsiderohet ndotësi më i madh i ambientit në Kosovë, ndërsa është parashikuar të shkojë në pensionim në fund të vitit 2017. Kështu kanë deklaruar përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, të cilët paralajmërojnë ndërtimin e një centrali të ri.

“Kosova ka nevojë për energji, mbi të gjitha Kosova ka nevojë për shëndet. Për këtë arsye Qeveria ka dhënë limit kohor fundin e vitit 2017 për mbylljen e TC Kosova A, që e ka marrë si obligim në raport me BE-në”, ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.

Këto komente ai i bëri gjatë vizitës së ekspozitës “Jeta pa Kosovën A”, që është hapur në Shtëpinë e Kulturës në Fushë Kosovë, ku të pranishëm ishin edhe Joost Koorte, zëvendësdrejtor i KE-së për Zgjerimin, Jan Peter Olters, drejor i Bankës Botërore për Kosovë, zyrtarë të Zyrës së KE-së në Prishtinë dhe zyrtarë të Komunës së Fushë Kosovës.

Kreu i MZHE-së tha se vendi po aq sa ka nevojë që ta mbyllë “Kosovën A”, ka nevojë që t’i ndërtojë kapacitetet e reja dhe maksimizimin e energjisë të ripërtërishme.

“Për këtë qëllim, vitin e kaluar Qeveria ka dhënë një licencë për 24 MW për hidro-energji në komunën e Deçanit, ndërsa me 28 dhjetor të vitit të kaluar ka paralicencuar mbi 100 MW për energji të ripërtërishme nga uji”, tha ai, raporton Albinfo.

Ndërsa, Joost Koorte tha se ka vizituar TC Kosova A, ku ka parë punën e mirë që është bërë për ndërrimin e filtrave.

“Është e qartë që jetëgjatësia është më e shkurtë se në rajon për shkak të pluhurit dhe kjo është një arsye me të cilën duhet të merremi…me vendosjen e këtyre filtrave dhe me punën në ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese, që do të mundësonte pastaj mbylljen e Kosovës A”, tha ai.

Lini një koment