Kalo te lënda

KE: Thelbësore, çrrënjosja e korrupsionit

f1_13ke-futja-vule-fotos-jpg1360741044Prishtinë, 13 shkurt – Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, pas takimeve të zhvilluara të martën me zyrtarë të lartë të Komisionit Evropian, lidhur me dialogun e vizave dhe sundimin e ligjit, ka thënë se nuk i takon të flasë për datën, por është zotuar sërish që Qeveria do të përmbushë “në kohë rekorde” të gjitha kriteret për liberalizmin e vizave.

“Nuk e kam ndërmend me qit fall… Ajo që më takon mua është që të jap zotimin publik të Qeverisë në përmbushjen sa më të shpejtë të kritereve”, ka thënë Çitaku.

Edhe zyrtarët e lartë të KE-së kanë shpalosur të martën para përfaqësuesve të Qeverisë raportin me kushtet që duhen plotësuar për t’u arritur liberalizimi i vizave, dhe kanë shprehur gatishmërinë për ta ndihmuar dhe udhëzuar. Po ashtu e kanë bërë të qartë, se vendimi për këtë merret në Bruksel, por punët duhet të kryhen në Kosovë.

E ministrja Çitaku ka thënë se liberalizimin e vizave e sheh më shumë si çështje emocionale.

“Unë nuk kam folur me data, sepse kjo është një çështje më shumë se politike. Është një çështje emocionale, një çështje njerëzore. Nuk bëhet fjalë thjesht për të drejtën e njeriut për të lëvizur. Ju e dini që në Kosovë liria e lëvizjes në zonën Shengen nënkupton shumë gjëra. Regjistrimi i popullsisë ka dëshmuar se një e treta e qytetarëve tanë tashmë jetojnë në Evropë. Dhe liria e lëvizjes në zonën Shengen do të thotë për një grua e drejta e saj për të vizituar bashkëshortin, prindin, fëmijën, nipin”, ka thënë Çitaku.

Stefano Manservisi, drejtor i përgjithshëm i Punëve të Brendshme të Komisionit Evropian, ka potencuar se KE-ja është pajtuar që është në interesin e përbashkët që të ketë liberalizim vizash për Kosovën.

“Mënyra e vetme që ta bëjmë këtë është që të punojmë dorë për dorë dhe është e vërtetë që vendimi merret në Bruksel dhe kushtet plotësohen këtu”, ka thënë ai. Sipas Manservisit, kriteret që duhet t’i plotësojë Kosova janë të njëjta me të vendeve të tjera, janë kritere “objektive dhe në bazë të meritave”.

(Më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore)  

Lini një koment