Ende bisedohet për veriun
Pesë vjet pas shpalljes së Pavarësisë, Kosova synon të arrijë një traktat paqeje me Serbinë, e cila vazhdon të mos e njoh shtetin e Kosovës. Katër takime ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë dhe një takim ndërmjet presidentëve të të dyjave vendeve, nga analistë të pavarur, cilësohen si fillimi i fundit në procesin e zgjidhjes së problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Takimi 6 shkurtit ndërmjet presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliq, u cilësua historik, për faktin që një takim i tillë ndodhë për herë të parë që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Ndonëse simbolik ky takim peshën e vet e kishte edhe për faktin që u aranzhua nga shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.
Rtklive transmeton se duke e cilësuar takimin shumë të rëndësishëm në përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, baronesha Ashton, tha se në takim është trajtuar edhe çështja e veriut të Kosovës dhe tha se “javët e ardhshme do të jenë kritike”.
“Që të dy, presidenti Nikoliq dhe presidentja Atifete Jahjaga, më kanë siguruar për mbështetjen e tyre të vazhdueshme për dialogun dhe për agjendat respektive evropiane. Të dy presidentët u takuan për t’i dhënë mbështetje dialogut ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, të cilët arrijnë dhe jetësojnë marrëveshje ndërmjet dy vendeve”, tha baronesha Catherine Ashton.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, takimin me Nikoliqin e cilësoi mbështetje për dialogun me Serbinë që po zhvillohet ndërmjet dy kryeministrave, që ka një qëllim: normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Takimi ishte i rëndësishëm, sepse ishte ndërmjet dy personaliteteve më të larta shtetërore të Kosovës dhe Serbisë, që i kontribuon fqinjësisë së mirë apo politikës së fqinjësisë së mirë, që ka qenë një politikë e institucioneve tona. Ky është përcaktimi i institucioneve të Kosovës deri në normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë”, thotë presidentja Jahjaga.
Edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në këtë linjë e sheh dialogun me Serbinë, por, ai thotë se Kosova nuk ka më asgjë për të humbur.
“Unë jam i bindur se normalizimi i raporteve shtetërore me Serbinë – është i domosdoshëm për evropianizimin e rajonit. Por, ky normalizim me asnjë kusht nuk do të kalojë në kurriz të shtetësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës sonë të re”, tha kryeministri Thaçi.
Pesë vjet pas pavarësimit të Kosovës, niveli i dialogut me Serbinë është ngritur në nivelin më të lartë shtetëror, përkatësisht në nivel kryeministrash dhe presidentësh. Mirëpo, kjo u arrit vetëm me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, përkatësisht shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton. Analisti në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Naim Rashiti, pozicionin e Kosovës në këtë fazë e ndërlidh me zhvillimet e mëhershme në kohën kur diskutohej për statusin final të Kosovës.
“Kosova ka mbetur shumë e cunguar nga mosmiratimi i Planit të Marti Ahtisarit në OKB, në vitin 2007, dhe Kosova, realisht, ka mbetur jashtë kontekstit ndërkombëtar të përfaqësimit – pra, kjo është sa i përket sferës ndërkombëtare. Në sferën e brendshme – është dëshmuar se Serbia e ka kontrolluar dhe vazhdon ta kontrollojë veriun dhe ky dialog është për këto dy qëllime. Pra, t’i jap formë, ta rregullojë çështjen e integritetit territorial të Kosovës, dhe ta rregullojë çështjen e përfaqësimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thotë Naim Rashiti.
Takimin ndërmjet presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe atij të Serbisë, Tomislav Nikoliq, profesori të drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, e sheh si fillimin e fundit të një epoke të zënkave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Nga ajo çfarë kam parë deri tash, edhe në këtë takim, po respektohet formula e Gymnih-ut, e përfaqësimit dhe takimit të autoriteteve pa simbole shtetërore dhe kombëtare, dhe në këtë drejtim, unë mendoj që duke pasur parasysh pozicionet strategjike të Serbisë dhe Kosovës, e shoh si fillimin e fundit të një epoke të zënkave dhe problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nuk pres dhe nuk jam shumë optimist për takimin, sepse edhe Kosova edhe Serbia, do ta vazhdojnë trendin e tyre deri në momentin kur procesi do t’ua imponojë të dyja palëve, që ta njohin njëra-tjetrën dhe bashkërisht të afrohen drejt Bashkimit Evropian”, thotë Afrim Hoti.
Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e mbështet edhe SHBA-ja. Zëvendësndihmësi i sekretares amerikane të Shtetit, diplomati,Philip Ricker, disa herë e ka përsëritur se dialogu në shekullin 21 – është thelbësor.
“Ne besojmë se Serbia dhe Kosova kanë të ardhme evropiane, dhe secili vend duhet të bëjë punën e vet, në përmirësimin e marrëdhënieve. Ne dhe partnerët tanë evropianë e mbështesim dialogun, i cili është thelbësor në shekullin 21. Është rruga që duhet të ndiqet”, thotë Philip Ricker.
Analisti politik, Behlul Beqaj, e sheh të domosdoshëm vazhdimin e dialogut me Serbinë, dhe thotë se ky dialog në javët në vazhdim do të jetë i vështirë dhe test për Kryeministrin e Kosovës.
“Kryeministri ndodhët para një testi shumë të rëndësishëm për të ardhmen e tij, sepse – deshëm apo nuk deshëm, veriu po shndërrohet në një çështje sublime për Republikën e Kosovës, dhe po ashtu, edhe për Republikën e Serbisë, sepse kjo po shihet nga qëndrimet e Nikoliqit dhe Daçiqit. Prandaj, unë mendoj se po preken interesa kombëtarë dhe shtetërorë. Mendoj se vazhdimi i negociatave do të jetë shumë me rëndësi”, thotë Behlul Beqaj.
Por, a e kushtëzon vazhdimi i dialogut dhe normalizimi i raporteve me Serbinë, funksionimin normal të shtetit të Kosovës? Profesori Afrim Hoti, themelimin dhe funksionimin e shtetit të Kosovës, nuk e ndërlidh më fqinjët e saj, por me integrimin në Bashkimin Evropian.
“Themelimi i shtetit nuk varet nga raportet e Kosovës me vendet tjera. Megjithatë, duke pasur parasysh faktin që edhe Kosova edhe Serbia kanë subjektivet e tyre për integrim në Bashkimin Evropian, mendoj se Kosova nuk ka kohë për të humbur, për të stabilizuar raportet me Serbinë, por edhe me shtetet tjera të rajonit. Bashkimi Evropian pranon vetëm ato shtete që paraprakisht i kanë të rregulluara dhe të zgjidhura të gjitha çështjet, dhe, në këtë drejtim, edhe Kosova, edhe Serbia, nuk bëjnë përjashtim”, thotë Afrim Hoti.
Në këtë linjë shprehet edhe analisti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Naim Rashiti, i cili dialogun me Serbinë e sheh në funksion të rregullimit të identitetit shtetëror të Kosovës.
“Këtu nuk cenohet identiteti shtetëror i Kosovës. Ky dialog ka për qëllim që ta rregulloj identitetin shtetëror të Kosovës; që ta rregulloj komponentin shumëetnik të Kosovës dhe funksionimin e shtetit të Kosovës dhe të rregulloj marrëdhëniet me të gjithë fqinjët, duke përfshirë edhe Serbinë, si një nga kriteret integruese në Bashkimin Evropian. Megjithatë, mbetet të shihet sepse marrëveshjet e para janë premtuese, por janë të vogla. Mbetet të shihet në një paketë më të gjerë të marrëveshjeve që do t’i jepnin domethënie më të madhe normalizimit. Pra, pa një normalizim të marrëdhënieve – nuk mendoj se Kosova e ka zgjidhur çështjen e vet të shtetësisë, dhe, po ashtu, Serbia nuk do të mund të avanconte drejt proceseve integruese”, thotë Naim Rashiti.
Raportuesi për Serbinë i Parlamentit Evropian, Jelko Kacin, ngritjen e nivelit të bisedimeve Kosovë-Serbi, e ka cilësuar si një hap përpara drejt normalizimit të raporteve ndërmjet dy vendeve.
“Konsideroj se dialogu i nivelit të lartë politik që e udhëheqin kryeministrat, e Serbisë dhe të Kosovës, është forcuar dhe i është dhënë stimulim i fuqishëm. Serbia dhe Kosova kanë hyrë në bashkëpunim rajonal, ekonomik e politik, jo sepse këtë e kërkon BE-ja, por, për shkak se kjo është në interesin e të të gjithë qytetarëve dhe ekonomisë, në veçanti të komunitetit serb në Kosovë”, ka thënë Kacin, nëpërmes një komunikate të lëshuar nga kabineti i tij.
Në Serbi, ndërkaq, takimet e nivelit të lartë politik me udhëheqësit shtetërorë të Kosovës, shihen si takime të vështira. Kjo për faktin që pala kosovare, sipas Kryeministrit të Serbisë, nuk luan nga qëndrimi që Kosova duhet trajtuar si shtet i pavarur, që për Serbinë, siç thotë kryeministri serb, Ivica Daqiç, është e papranueshme.
“Ky takim duhet të shihet si pjesë e kompromisit për të gjetur zgjidhje të drejta të cilat nuk do ta detyrojnë Serbinë që ta njoh pavarësinë e Kosovës port ë cilat do ta rregullojnë mënyrën e organizmit të jetës në atë pjesë të territorit”, thotë Ivica Daçiq.
E, për analistët në Serbi, takimi Jahjaga Nikoliq, ishte takim më shumë simbolik, sesa që mund të prodhojë ndonjë marrëveshje. Vladimir Teodoriq, nga Qendra për Politikë Moderne, kujton takimet e Vjenës gjatë diskutimeve për statusin e Kosovës dhe rëndësinë që ka përfshirja e Nikoliqit në dialog, sidomos në këtë periudhë.
“Rëndësia e hyrjes së Nikoliqit në dialog paraqet një moment të ri kjo për arsye se ndodhë në një kohë kur është diskredituar Kryeministri i Serbisë”, thotë Teodoriq./rtklive/