Server: Njohja e Kosovës nga Serbia nuk do të vonojë
Eksperti për çështjet e Ballkanit, Daniel Serwer, thotë se takimi i djeshëm mes Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Presidentit të Serbisë Tomisllav Nikoliç, ishte simbolik por i rëndësishëm. Dr. Serwer, i cili punon në Shkollën Johns Hopkins të Studimeve të Përparuara Ndërkombëtare në Uashington, i tha Zërit të Amerikës se njohja e Kosovës nga Serbia nuk do të vonojë, por kryesorja për Kosovën është qeverisja e mirë.
Daniel Serwer, ka përvojë në lehtësimin e dialogut mes shqiptarëve dhe serbëve. Ai mendon se në këtë dialog, disa gjëra vërtet janë simbolike por jo pa rëndësi:
“Fakti që Serbia takohet me Kosovën mbi baza të barabarta, në mënyrë plotësisht reciproke dhe simetrike, ka shumë rëndësi. Mendoj gjithashtu se zonja Jahjaga është një simbol shumë i mirë i Kosovës, simbol i rendit dhe i ligjit. Ajo përfaqësohet mirë. Përsa i përket palës shqiptare, ose më mirë palës kosovare, njerëzit që i binden qeverisë së Prishtinës janë të kënaqur me atë që ndodhi, edhe pse zoti Nikoliç tha gjëra që ata nuk mund t’i pranojnë.”
Zoti Serwer thotë se në dy krahët ka elementë që janë kundër bisedimeve, por nuk e shikon këtë si diçka shqetësuese.
“Kjo është absolutisht normale. Të dyja palët duhet ta ndihmojnë njëra-tjetrën për të qetësuar elementët ekstremistë. Prandaj mua nuk më shqetëson ajo që tha zoti Nikoliç. Atij i duhet t’i thotë këto gjëra për të kënaqur nacionalistët e tij ekstremistë. Edhe zonjës Jahjaga iu desh të theksonte me forcë se Kosova është e pavarur dhe sovrane për të kënaqur të sajët. Kjo është diçka e kuptueshme dhe normale.”
Zoti Serwer thotë se gjërat mes Prishtinës dhe Beogradit po shkojnë më mirë se sa shumë prej vëzhguesve e kishin parashikuar. Ai mendon se ka rëndësi që njerëzit të kuptojnë arsyen përse po ndodh kështu.