Prishtina anulon konkursin për skulpturën e Ibrahim Rugovës
Pas propozimit të Komisionit profesional për vlerësimin e veprave konkurruese për “Realizimin e skulpturës së shtatores së Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, Komuna e Prishtinës, të enjten, ka marrë vendim për anulimin e konkursit për punimin e shtatores se ish Presidentit.
Komuna e ka marrë këtë vendim, pasi Komisioni, në përbërje të se cilin ishin: Adem Rusinovci, (dekan i Fakultetit të Artëve-UP), Sabri Hamiti (Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës), Artan Peqini (Dekan i Fakultetit të Bukura, Tiranë), Hivzi Muharrremi (profesor në Fakultetin e Artëve-UP) si dhe Sazan Raskova, (arkitekte në Komunën e Prishtinës), ka vlerësuar se asnjëra nga veprat e ofruara nuk kanë arritur t’i realizojë në aspektin figurativ përmasat kompozicionale, e vecanarishtë të reflektojë karakterin e personalitetit të ideologut e intelektualit shqiptar me përmasë universale.
“Komisioni ka bërë një analizë të hollësishme profesionale të 23 veprave që kanë arritur në konkurs. Asnjëra nga veprat e ofruara nuk i plotëson kushtet për t’u përzgjedhur për realizimin e monumentit të Dr. Ibrahim Rugovës”, ka vlerësuar komisioni.
Komuna e Prishtinës pas këtij vendimi, do të filloj procedurat e hapjes se një konkursi të ri për realizimin e skulpturës së shtatores së Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. /Indeksonline/