Anna Oxa, sulmon festivalin “Sanremo”
Këngëtarja italiane me origjinë shqiptare, Anna Oxa (Iliriana Hoxha) ka sulmuar ashpër Festivalin e Sanremos.
“Sanremo është një nënprodukt i 1 Majit. Nuk iu përket artistëve, por sistemit”, ka thënë Hoxha, e cila ka marrë pjesë 14 herë në “Sanremo”, e për herë të parë në vitin e largët 1978, kur Italia e zbuloi si talent në moshën 19-vjeçare me këngën ‘Un’emozione da poco” (Një emocion i sapolindur). Sulmi i Anna-s erdhi në fund të konferencës së shtypit, që prezantuesi i Sanremo-s për këtë vit, Fabio Fazio mbajti duke paraqitur pjesëmarrësit dhe të ftuarit e edicionit 2013, transmetojnë mediat shqiptare.
Më poshtë është artikulli i publikuar nga gazeta italiane, “Corriere della sera”:
Kanë kaluar disa orë, por zemërimi i Ana Oxa-s nuk bie: “Mos e quaj zemërim – korrigjon ajo – imja është një akt drejtësie. Jam përjashtuar për arsye politike”, shprehet e mbushur plot e përplot Anna: “Pyeta ata që ishin në komisionin e përzgjedhjeve. Gjendesha në 14 finalistët gjysmë ore përpara publikimit të emrave. Dhe më pas jam hequr, pas një zënke të çmendur”. Pse? “Pasi jam një “qen kuturu, i lirë”, që nuk i përkas askujt”. Më tej Anna, i mëshon konceptit: “Ky festival duket një nënprodukut i Koncerteve të 1 Majit. Që nuk është muzikë, por event. Dhe Fazio është “i bukuri” i pushtetit politik”.

A është e mundur, që në 14 herët e saj të mëparshme të kenë qenë kritere më të mira përzgjedhjeje? “Sigurisht që nuk kemi rënë kurrë kaq poshtë. Sot të rinjtë përdoren, hidhen në garë pa përgatitjen e përshtatshme. Sanremo është një pasqyrë e degradimit të vendit, ku krijimtaria nuk vlerësohet. Por unë jam e vetme në këtë akt drejtësie”. Deri tani, a ka shprehur ndonjë koleg solidaritet?: “Unë nuk kam kolegë. Ka luftëtarë, ka edhe larva: unë jam luftëtare”. Duke parë se nga kolegët nuk i vjen ndihmë në këtë pikë Oxa fton publikun për një mbështetje solidarizuese: “Në 24 dhe 25 shkurt, në votime u them: Të kuqtë, të verdhët, të zinjtë ndryshojnë ngjyrat, por janë gjithmonë të njëjtët. Italianët nuk duhet të votojnë më. Sepse kjo nuk është demokraci”.

Dhe të thuash që në fund të konferencës, prezantuesi Fazio pati kërkuar që ta qetësonte, t’i hidhte ujë zjarrit. “Sanremo nuk bëhet për përjashtime, por për përfshirje. Por vendoset edhe se kush do të jetë dhe kush nuk do të jetë. Një parim i thjeshtë, edhe pse e di që kujtdo që skualifikohet i vjen hidhur. Vështirë që këtë ta kuptojë Anna Oxa, por e marr me mend situatën e saj”, ka thënë Fabio Fazio. Megjithatë, edhe ky shpjegim me sa duket nuk e ka bindur Anna Oxa-n. /Indeksonline/