Kalo te lënda

Amerikani Ligety fiton të artën në Super-G

f1_ligety-sp1360249549Schladming, 7 shkurt – Ted Ligety me një finish të furishëm ka arritur të fitojë të mërkurën medaljen e artë në Super-G në Botërorin e skijimit alpik, që po mbahet në Schladming të Austrisë. Për Ligetyn është fitorja e tij e parë në karrierë në disiplinën Super-G.

Amerikani ka rrezikuar në pjesën e fundit të shtegut “Planai” duke përfunduar garën me kohë 1:23.96 minuta.

Medalja e argjendtë i takoi francezit Gauthier de Tessieres që përfundoi për 20 të qindtat e sekondës prapa fituesit. Ndërkohë norvegjezi Aksel Lund Svindal, që ishte vlerësuar favorit për të fituar të artën, përfundoi i treti me 22 të qindtat disavantazh ndaj Ligetyt.

Kampioni në fuqi, italiani Christof Innerhofer, përfundoi i shtati, dhe ishte plot një sekondë e nëntë të qindtat prapa fituesit.

“Është e pabesueshme. Isha mjaft në stres ndërsa prisja gjithë favoritët të lëshoheshin. Me të parë Svindalin që përfundoi garën dhe ishe prapa meje, atëherë m’u hoq një barë e madhe nga supet”, ka thënë Ligety, që startoi i dhjeti në garë.

Ligety para të mërkurës kishte arritur vetëm një herë në podium në një garë të Super-G dhe kjo duke përfunduar i dyti në Kupën e Botës në Val d’Isere të Francës në vitin 2009. Këtë stinor ai ka përfunduar i katërti në dy gara në Kupën e Botës në disiplinën Super-G.

“Po përjetoj një stinor mjaft të mirë në Super-G, por nuk besoj se kjo është e mundur. Unë kam menduar se kisha rast për medalje. E dija se duhet të rrezikoja shumë nga përfundimi për të pasur një rast. Unë u mundova të skijoja sa më pastër që të jetë e mundur”, ka thënë Ligety.

Kjo është medalja e dytë e Ligetyt e fituar në një Botëror të skitarisë. Dy vjet më parë ai fitoi medaljen e artë në sllallom të madh në Garmisch-Partenkirchen të Gjermanisë.

Njëherësh është medalja e dytë për dy ditë për skuadrën e SHBA-së. Të martën Julia Mancuso fitoi medaljen e bronztë në Super-G në konkurrencën e femrave.

 

Komente (0)Shpërndaje artikullinFacebookTwitterLinkedInGoogle BookmarkDigg

Lini një koment