Rexhepi siguron qytetarët se s’do të mbesin pa pasaporta
Prishtinë,4 shkurt – Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka ritheksuar se qytetarët nuk duhet të kenë frikë për shkak të ndërprerjes së kontratës me kompaninë për prodhimin e pasaportave biometrike OeSDE. Siç raporton KTV-ja, ai ka thënë se ka pasaporta të mjaftueshme dhe se nuk do të ketë krizë deri në përzgjedhjen e kompanisë së re. Ministri Rexhepi ka thënë se tashmë është hapur tenderi. Për këtë ka ftuar edhe shoqërinë civile të jetë pjesëmarrëse në Komisionin për përzgjedhjen e kompanisë fituese. Ministri ka pohuar se gjithçka do të jetë transparente për opinionin.
Javën e kaluar MPB-ja ka shkëputur kontratën me kompaninë austriake OeSDE për shkak se, siç thuhej, të mosarritjes së zgjidhjes miqësore të mosmarrëveshjeve. Ndërprerja e kontratës kishte ardhur pak kohë pas shpërthimit të skandalit të 1.4 milion eurove të destinuara për prodhimin e pasaportave biometrike, me ç’rast u suspenduan disa zyrtarë të MPB-së, të përfshirë në këtë aferë.