PLK: Debati për reformën zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirës
Partia Liberale e Kosovës konsideron se debati për reformën dhe ligjin zgjedhorë duhet të jetë gjithëpërfshirës, i mbarë spektrit politik të Kosovës, shoqërisë civile dhe mediave kosovare. “Të gjitha subjektet politike parlamentare dhe joparlamentare, legjitime dhe të regjistruara në KQZ duhet të japin kontributin dhe opinionin e tyre për reformën zgjedhore e cila garanton përmbushjen e një standardi demokratik dhe është parakusht për zgjedhje të ndershme, transparente dhe demokratike, sepse partitë politike aktualisht të mëdha nuk mund të kenë monopol dhe të diktojnë këtë debat për interesa vetanake dhe sipas ambicieve të tyre për të krijuar parakushtet për manipulim të proceseve zgjedhore në Kosovë”, vlerëson kjo parti politike jashtëparlamentare. Reforma e thellë zgjedhore dhe aprovimi i ligjit zgjedhor i cili garanton shansa të barabarta për të gjitha subjektet politike në garën elektorale është minimumi i lindëshmërisë së këtij procesi, vlerëson PLK thënë se zgjedhjet transparente jan instrumenti i vetëm i demokracisë përmes së cilave zgjedhen institucionet demokratike të ndershme dhe legjitime nga vota e qytetarëve të Kosovës. “Reforma e njëmendët zgjedhore dhe ligji për zgjedhjet demokratike është edhe njëri prej parakushteve të Kosovës për të filluar procesin e Stabilizim Asocimit dhe përspektivës Europiane dhe se asnjë parti politike nuk mund ta personalizoj, privatizoj dhe uzurpoj këtë proces të nevojshëm dhe të domosdoshëm për të ardhmen e Kosovës demokratike dhe Europiane”, thuhet në një kumtesë të kësaj partie.PLK kërkon nga përfaqësuesit e OSBE-së, Bashkimit Europian dhe Ambasadave të vendeve perëndimore që të monitorojnë këtë proces dhe të japin kontributin e tyre për një reformë të vërtetë esenciale dhe demokratike zgjedhore e cila sipas tyre do të garantonte pjesëmarrje jo diskriminiuese për të gjitha etnitetet dhe entitetet politike të Kosoves që në fund të ketë zgjedhje të pranueshme, legjitime, transparente dhe demokratike edhe në Republikën e Kosovës. / kosovasot /