Arrestohen tre persona
E plotësuar) Burime të Indeksonline kanë bërë të ditur se janë arrestuar tre persona të dyshuar, në këtë rast ata që kanë qenë të pranishëm në banesë kur ka ndodhur rasti.
Mësohet se të arrestuara janë bashkëshortja dhe dy vajzat e të ndjerit.
—
Departamenti për Krime të Rënda i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, sot nga Departamenti për Mjekësi Ligjore, ka pranuar raportin e autopsisë, për tani të ndjerin Hamdi Sopa.
Bazuar nga rezultati i këtij raporti konstatohet se në rastin konkret bëhet fjalë për vrasje dhe jo vetëvrasje, prandaj prokurori Blerim Isufaj, i ngarkuar me rastin, sot mori vendim për fillimin e hetimeve dhe ka urdhëruar arrestimin e personave që në momentin kritik kanë qenë prezent në banesën e të ndjerit Sopa, në të cilën dyshohet të jetë kryer vrasja.
Prokurori Isufaj ka kërkuar nga gjykata të lëshojë urdhëresë për bastisjen e banesës së të ndjerit dhe njëkohësisht ka propozuar caktimin e paraburgimit për të dyshuarit, raporton qik.
Me këtë rast Prokuroria njofton se nuk posedon asnjë videoincizim me telefon celular, siç është shkruar në njërën nga gazetat e përditshme në vendin tonë. Prokuroria është njoftuar nga Policia e Kosovës se as Policia nuk posedon incizime të tilla. Prokuroria bën thirrje opinionit publik, që nëse dikush posedon incizim të tillë të ia dorëzojë prokurorisë./Indeksonline/