Rigjykimi i rastit “Kleçka” mund të mos ndodhë edhe 2 muaj
Fatmir Limaj dhe bashkëluftëtarët e tij ka mundësi që deri në muajin prill të qëndrojnë në paraburgim.
Kjo për arsye se EULEX po planifikon që rigjykimi në rastin “Kleçka” të nisë pas dy muajsh.
Gjyqtari kryesues i EULEX-it, Malcolm Simmons, ka kërkuar nga avokatët mbrojtës në këtë rast që të tregojnë nëse janë në dispozicion nga data 1 prill deri më 31 dhjetor 2013, raportn KTV-ja.
Madje, me dispozitat e reja të Kodit të Procedurës Penale parashihet që për personat që janë në paraburgim të vendoset për nisje të gjykimit më së largu për 15 ditë.
Por, misioni për sundim të ligjit do të vazhdojë të punojë me Kodin e vitit të kaluar, duke mos thënë se kur pritet të nisë gjykimi. “Sa më shpejt që gjykata ka në dispozicion datat, do të fillojë gjykimi. Gjykimi do të zhvillohet sipas Kodit të vjetër të Procedurës Penale. Plani është që sapo të fillojë gjykimi, të ketë një orar intensiv të seancave dëgjimore, për çdo javë derisa të përfundojë gjykimi”, thotë zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi.