PDK: I kemi votat në Kuvend
Numërimi i votimit në Konventën e VI të Partisë Demokratike ende nuk ka përfunduar dhe tek nesër pasdite pritet të dilet me rezultatet e para. Zyrtarët e këtij subjekti politik deklarojnë që pas përfundimit të këtij procesi do të shikohen pastaj zhvillimet e tjera politike, kur bëhet fjalë për çështjen e koalicionit qeverisës. Edhe pse llogaritet që PDK-ja ka tri vota të deputetëve më pak në Kuvend, zyrtarët e këtij subjekti politik thonë që numrat janë të mjaftueshëm në parlament.
Zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci, në një konferencë të mbajtur të martën, ka thënë se numërimi i votave është duke shkuar në rregull dhe nesër pasdite mund të dihen rezultatet për Këshill Drejtues.
“Procesi i numërimit është duke vazhduar. Besojmë që me ritmin të cilin është duke u punuar, diku deri nesër pasdite do t’i kemi rezultatet e para, por nuk mund t’ju them me saktësi, se presim të kryhet puna. Dhe pavarësisht asaj se kur kryhen, e rëndësishme është që të përfundojnë të dihen dhe të shpallen dhe në momentin kur do të jenë të përfunduara ne do t’jua komunikojmë”, ka theksuar Stavileci.
Ndërkohë, i pyetur se a mund të formohet kryesia brenda kësaj jave, ai nuk ka dashur të spekulojë, duke thënë se pritet përfundimi i numërimit dhe të dalin rezultatet.
Gjithashtu, ai nuk ka dashur të komentojë se çfarë ndikimi mund të kenë zgjedhjet në formulën qeverisëse.
“Po, unë besoj që këto janë dhe duhet parë si procese të ndara. Ju po e shihni se gjithë eksponentët e PDK-janë të angazhuar në këtë proces zgjedhor dhe njëherë për njëherë asgjë nuk mund t’ju themi jashtë kësaj, presim që të përfundoj ky proces, të dalin organet e reja drejtuese të PDK-së me kryetarin e rikonfirmuar dhe pastaj të flasim për hapat dhe zhvillimet e ardhshme politike”, ka deklaruar ai.
Këtij subjekti politik tani llogaritet se i mungojnë tri vota në Kuvendin e Kosovës, pasi që deputeti Fatmir Limaj gjendet në paraburgim, ndërsa Jakup Krasniqi dhe Hydajet Hyseni nuk kanë marr pjesë në Konventën e VI të PDK-së, duke dhënë sinjal që nuk janë të kënaqur me partinë.
Por, Stavileci nuk pajtohet me këtë, duke thënë se koalicioni qeverisës ka numrat dhe ata mund të shtohen edhe më shumë.
“Sido që të jetë, edhe nëse tash bëni kalkulime aritmetike të numrave midis subjekteve politike në pozitë dhe opozitë, do të shihni që numrat janë në anën tonë. Pastaj, të ardhmes nuk i dihet. Një gjë dihet; që këta numra do të jenë të tillë, por besoj që ndoshta të ketë edhe shtim të tyre”, ka thënë zëdhënësi.
Ai ka lexuar edhe deklaratën politike të aprovuar në Konventën e VI të PDK-së, e cila i përkufizon orientimet politike të këtij subjekti i Qendrës së Djathtë.
“Partia Demokratike e Kosovës është një parti e Qendrës së Djathtë e cila me qëllim të përhapjes së frymës së demokracisë në Kosov,ë duke dëshmuar që është parti politike e vlerave, i bashkon njerëzit nga të gjitha pjesët e vendit dhe diaspora në emër të një qëllimi kryesor, prosperitetit të Republikës së Kosovës dhe gjithë qytetarëve të saj. Partia Demokratike e Kosovës është parti nacionale e cila në vete bart idealet e luftës çlirimtare për liri dhe pavarësi, politikat e së cilës bazohen në parimet e respektimit të lirisë, dinjitetit njerëzor, solidaritetit, drejtësisë dhe përgjegjësisë personale”, ka theksuar Stavileci.
Në deklaratë më tej thuhet se Partia Demokratike e Kosovës angazhohet fuqishëm në ndërtimin e një shoqërie demokratike për respektimin dhe afirmimin e lirisë së mendimit dhe parimeve të tjera të demokracisë, sigurimin e të drejtave të barabarta për secilin qytetar, mbrojtjen e parimeve të drejtësisë sociale, zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës dhe vlerave të tjera kushtetuese.
PDK zotohet se do të punoj fuqishëm për një shtet ligjor, ndërtimin e një demokracie ku respektohen të drejtat e qytetarit të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare.
Gjithashtu, ky subjekt politik mbështet dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe angazhohet në vazhdimësi për një fqinjësi të mirë me gjitha shtetet. /Telegrafi/