Paçarizi: RTK nuk duhej të transmetonte Kongresin e PDK-së
Kryetari i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, Rrahman Paçarizi, ka rezervat ndaj politikës redaktoriale të RTK-së dhe vlerëson se televizioni publik nuk duhet të transmetojë kuvendet e partive politike. Ai e konsideron të ligjshëm vendimin për zgjedhjen e Mentor Shalës në postin e drejtorit të përgjithshëm të televizionit publik.
Kreu i Bordit të RTK-së duke shprehur rezervat e tij ndaj politikës redaktoriale të RTK-së, si gazetar me profesion, ai mendon se nuk është dashur të transmetohet direkt Kongresi i PDK-së të shtunën e të dielën, por as Kuvendi i LDK-së që është mbajtur vite më parë.
“Nuk mendoj se RTK duhet të transmetojë Kongreset apo Konventat e partive politike. Si gazetar mendoj se nuk është mirë. Por meqenëse RTK e ka transmetuar edhe Kongresin e LDK, atëherë transmetimi direkt i Kongresit të PDK-së nuk përbënë asnjë precedent”, ka thënë Paçarizi për portalin Korieri.info.
Paçarizi ka gjithashtu vërejtje me renditjen e lajmeve ditën e mbajtjes së Kongresit të PDK-së. Sipas tij, lajmi për Kongresin e PDK-së nuk është dashur të jepet para lajmit për aksidentin e autobusit me nxënës në rrugën Shtërpcë-Prevallë.
Ndërsa lidhur me zgjedhja e Mentor Shalës në pozitën e drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Paçarizi thotë se është bërë në pajtim të plotë me ligjin dhe kornizën ligjore mbi bazën e të cilit funksionon Bordi i RTK-së.
“Sa i përket aspektit të ligjshmërisë, mund t’ju them se gjithçka ka qenë në rregull. Shala ka marrë votat e shtatë anëtarëve të Bordit, që i bie 2/3 dhe në rregullativen ligjore mbi bazën e të cilës funksionon Bordi thuhet se për zgjedhjen e drejtorit ose shkarkimin e tij nevojiten votat e 2/3 të anëtarëve të tij. Në mbledhja ishin 7 anëtarët e Bordit, ishte kuorumi i nevojshëm për mbajtjen e mbledhjes dhe marrjen e vendimeve. Vendimi është i ligjshëm. Ne nuk kishim kohë për pritje dhe zvarritje”, thotë Paçarizi.
Sipas Paçarizit, RTK ka vuajtur nga stërzgjatja e procedurave në Kuvendin e Kosovës dhe pritja e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Bordit, sipas tij, do të shkaktonte vonesa të mëdha edhe në zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së.
Opozita e ka konsideruar jolegjtime zgjedhjen e Mentor Shalës drejtor të përgjithshëm të RTK-së, pasi konsideron se zgjedhja e tij është bërë ende pa u kompletuar Bordi i RTK-së.
Mentor Shala nga opozita dhe disa medie është konsideruar si njeri i afërt i partisë në pushtet – PDK. Zgjedhja e tij është konsideruar politike dhe e bërë me diktatin e PDK-së. Kjo është thënë në aksionin e Lëvizjes Vetëvendosje të zhvilluar në mesditë para zyrave të RTK-së me moton ‘RTK është shndërruar në PDK”.
Por me këtë nuk pajtohet Paçarizi, i cili thotë se nuk ka pasur asnjë lloj presioni ndaj tij për të votuar Shalën për drejtor të PDK-së. Madje, ai thotë se nuk ka pasur as këshilla miqësore, si në të kaluarën. /Telegrafi/