nxehtë për marrëdhëniet e Kosovës me OKB-në
Që nga shpallja e pavarësisë pesë vjet më parë, Kosova ka siguruar njohje nga 98 vende anembanë botës, duke përfshirë rreth 50 për qind të vendeve anëtare të OKB-së. Qeveria e ka kthyer fokusin e saj në mbledhjen e njohjeve nga Afrika e veriut e vende të tjera islamike, si dhe të përparojë marrëdhëniet e saj me OKB-në pavarësisht prej paralajmërimeve se periudha kohore do të përfundojë duke penguar vendin.
Disa zyrtarë dhe ekspertë thonë se vendi duhet të presë për të forcuar marrëdhëniet e tij me OKB-në derisa Rusia e Kina të mos kërcënojnë të përdorin veton e tyre kundër Prishtinës, ndërsa të tjerë thanë se Kosova duhet të bëjë kërkesë për t\’u bërë një vend anëtar vëzhgues.
Skënder Hyseni, ish-ministër i jashtëm dhe deputet i tanishëm, tha për SETimes se do të ishte një gabim strategjik për Kosovën të bënte kërkesë për një status vëzhguesi të OKB-së.
“Është më mirë të mos bashkohesh (me OKB) për 10 ose 15 vjet, sesa të bashkohesh më parë si një vëzhgues, sepse Kosova do të hidhej në grupin e atyre vendeve me një gjysmë identiteti”, tha Hyseni.
Anëtarësimi i Kosovës në OKB varet më së shumti nga qëndrimi i anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, tha ai.
“Edhe në qoftë se (Kosova) do të kishte 190 njohje … Rusia e Kina prapë teknikisht kanë mundësinë t’a bllokojnë procesin e anëtarësimit”, tha Hyseni.
Fisnik Gashi, një hulumtues në Institutin për Studime Politike dhe Evropiane, tha për SETimes se Kosova duhet të shmangë çdo veprim që do të ndezë një reagim negativ nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
“Diplomacia e Kosovës duhet të punojë në dy fusha: rritja e numrit të njohjeve dhe zgjerimi i bashkëpunimit me vendet me fuqi vetoje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, tha Gashi.
Hyseni tha se Ministria e Jashtme e Kosovës ka nevojë për një strategji të politikës së jashtme.
“E them me keqardhje se në fushën e njohjeve për Kosovën, diplomacia e Kosovës në dy vitet e fundit … ishte pranë dështimit”, tha Hyseni.
Por Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj nuk ishte dakord.”Gjatë vitit, ministria e jashtme pati një rend të ditës të matshëm”, tha ai për gazetarët.
“Duke u mbështetur në këtë rend dite, bëmë përpjekje maksimale gjatë vitit për të paraqitur interesat e Kosovës, për të paraqitur interesat tona politike, jetën ekonomike e kulturore në çdo pjesë të botës dhe natyrisht për të paraqitur interesat e shtetasve të Kosovës.”
Gashi tha se veprimet e Kosovës në politikën ndërkombëtare do të varen shumë nga zhvillimet e brendshme.
“Mendoj se Kosova duhet të përqendrohet në krijimin e shtetit funksional, të qëndrueshëm e të pandërprerë në të gjitha fushat e të përdorë të gjitha këto arritje për të gjetur mbështetje për proceset e integrimit dhe anëtarësimit të tij në mekanizma të ndryshme”, tha Gashi.
Albin Kurti, udhëheqësi i Vetëvendosjes e kryetari i Komitetit Parlamentar të Politikës së Jashtme, ishte dakord. “Sa më shumë (ministria e jashtme) u përqendrua në pjesëmarrjen në organizata e forume ndërkombëtare, (kishim) mbetur pa fjalën kryesore \’republika\’,” tha Kurti për SETimes.
Ambasadori gjerman në Serbi, Heinz Vilhelm tha se anëtarësimi i Kosovës në OKB është një nga çështjet që duhej të diskutohet në Bruksel.
“Çështja është shumë e rëndësishme për ne, por nuk mund të them për tani në qoftë se do të ishte vendimtare për dhënien e datës. Do të presim së pari për një vendim të Komisionit Evropian e (Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Çështjet e Jashtme) Catherin Ashton mbi përparimin në dialog”, tha Vilhelm për B92.