Meraku i gjeneralit
Shefi në largim i EULEX-it, Xavier de Marnhac, thotë se i ka mbetur merak që misioni që e udhëhoqi nuk arriti suksese të kënaqshme në veri të vendit. Por, ai shprehet se edhe atje, ashtu sikurse në krejt Kosovën, janë shënuar rezultatet konkrete që e kanë afruar Kosovën me BE-në.
Në një intervistë për “Express”, gjenerali francez beson se dialogu i nisur në Bruksel do të zgjidhë shumë probleme.
“Ka gjithnjë gjëra që të mbeten merak dhe që nuk mund t’i kryesh në mënyrë ideale ashtu siç ke pritur. Por, unë gjithnjë them se ky është mision për menaxhimin e krizës dhe, përkundër ndikimit të krizës, unë mendoj që kemi arritur shumë. Mendoj që gjatë këtyre dy vjetëve në Kosovë janë bërë shumë ndryshime. Po përmendi fillimin e dialogut, pastaj përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe për këto Kosova është në drejtimin e duhur. Unë krenohem me fatin që misioni ka qenë në gjendje që t’u përshtatet këtyre ndryshimeve. Këto i kemi bërë së bashku me institucionet e Kosovës. Mendoj se përshtatja më e madhe është rikonfigurimi i misionit në mënyrë specifike për t’iu përshtatur ndryshimeve”, tha Marnhac.
Se a mund të quhet si dështim i EULEX-it për mosshtrirjen e plotë të misionit edhe në veriun e Kosovës, Marnhac tha “Ne jemi të pranishëm në veri. Nganjëherë kemi pasur vështirësi në ushtrimin e funksionit në veri, por ne jemi aty, i monitorojmë stacionet policore, kemi personel në Gjykatën e Mitrovicës, e përmenda rastin Panteliq, jemi të pranishëm në vendkalimet në Jarinje dhe Bërnjak, dhe tash që ka filluar zbatimi i marrëveshjes së integruar të kufirit (IBM) jemi më të pranishëm se kurrë së bashku me policët dhe doganierët”.
Duke folur për barrikadat serbe që ende janë nëpër rrugë, shefi në largim i EULEX-it tha “Është e vërtetë se lëvizja në veri është e vështirë, nganjëherë edhe ne parandalohemi dhe nuk ka liri të qasjes. E më e vështira është që të kryhen hetime në një ambient të tillë, sidomos pas korrikut të vitit 2011”. /Telegrafi/