Ismeti – Memlit: Me i ra veti mësysh, nuk të gjendet ilaç!
Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së dhe shefi i grupit parlamentar të këtij subjekti politik në Kuvendin e Kosovës, Ismet Beqiri ka ripërsëritur qëndrimin se televizioni publik i Kosovës, RTK, është i kontrolluar nga PDK-ja. Beqiri ka thënë se Kongresi i PDK-së i ka ngjarë një kongresi nga Koreja e Veriut. Ai gjithashtu i është përgjigjur ironizimit të Memli Krasniqit,me prosinë: “Me i ra vetit msyshë nuk të gjendet ilaç”. Beqiri ka konfirmuar se LDK nuk do ta votojë shkarkimin e kryeparlamentarit Krasniqi, në qoftë se kjo do të iniciohet në Kuvend. Sipas tij, problemi më i vogël është të rrëzohet qeveria aktuale, e cila,sipas tij, tashmë është e rrëzuar.
Duke folur në emisionin Interaktiv të KTV-së Beqiri ka thënë se është e pafalshme që RTK-ja, në ditën kur ndodhi një fatkeqësi me rrotullimin e autobusit përplot nxënës, RTK-ja i jep prioritet Kongresit të një partie politike.
Ai sërish ka mbrojtur deklarimet e tij se Kongresi i PDK-së i ka ngjarë kongresit të një partie nga një vend komunist, siç është Koreja e Veriut.
Ndërsa, lidhur me shkuarjen e nënkryetares së LDK-së, Teuta Sahatqija si mysafire në Kongresin e PDK-së, Beqiri ka thënë se ajo ka shkuar atje si përfaqësuese e LDK-së.
Duke folur për deklarimin e PDK-së se janë profilizuar si parti e qendrës së djathtë, Beqiri sërish ka përsëritur se kjo parti deri tash është dëshmuar si majtiste.
“Nëse ju dhez, ok është. Është e drejtë e tyre të deklarohen”, tha Beqiri, duke potencuar se LDK-ja tashmë është dëshmuar si parti djathtiste, e këtë e ka dëshmuar me anëtarësimin në familjen e Partive Popullore Evropiane.
Ai gjithashtu sërish iu është përgjigjur ironizimeve që kanë bërë dy ministrat nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi dhe Blerand Stavileci.
”Me i ra vetit msyshë nuk të gjendet ilaç”, ka thënë Beqiri duke iu përgjigj Memlit, kurse për Blerandin ka thënë se gjuha e përdorur nuk përkon me gjuhën e një zëdhënësi të një partie.
Beqiri sërish ka thënë se PDK nuk do të mund asnjëherë të marrë pushtetin në Prishtinë.
Shefi i grupit parlamentar i LDK-së, ka thënë se nuk do të përkrahin një iniciativë eventuale të PDK-së për shkarkimin e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi.
Ai sërish ka thënë se Bordi i RTK-së është ngutur me zgjedhjen e Mentor Shalës në postin e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së.
“Do të përdorim të gjitha metodat parlamentare që RTK-ja të mos bëhet servil i PDK-së”, tha Beqiri.
Beqiri thotë se nesër mund ta rrëzojnë këtë Qeveri, e cila, sipas tij, tashmë është e rrëzuar.
“Ka një çrregullim total brenda koalicionit qeverisës. Por, rrëzimin e kësaj qeveria duhet ta bëjnë vetë qytetarët me votën e tyre”, tha Beqiri, duke qenë i sigurt se zgjedhjet e ardhshme do t’i fitojë LDK-ja.
“Është koha e fundit që vendi të qeveriset nga LDK-ja”, tha ai.
Pjesëmarrjen e tij në takimin e ftuar nga kryeministri Thaçi, në takimin informues lidhur me takimin e tij të fundit me Dacicin, Beqiri e ka arsyetuar me funksionin e tij si kryetar i grupit parlamentar.
“Pjesëmarrja në atë takimin nuk e ndryshon qëndrimin e LDK-së kundër dialogut me Serbinë”, tha Beqiri, duke potencuar se ka qenë një takim i shkurtër informues, por ka mohuar ta kenë falënderuar për takimin informues. /Telegrafi/