Vjen gripi amerikan. Ekspertët: Rreziku i humbjes së jetës është prezent
Virusi i gripit amerikan po qarkullon në Shqipëri. Epidemiologët e Institutit të Shëndetit Publik kanë regjistruar rastet e para me AH3N2, duke kërkuar rritjen e vigjilencës nga bluzat e bardha dhe kujdesin e qytetarëve.
Pesë rastet me tipat e ndryshëm të viruseve gripale janë lokalizuar në Tiranë. “Nëse para një jave virusi i gripit nuk qarkullonte në Shqipëri, tani laboratori i virologjisë ka izoluar rastet e para për tipat A dhe B. Këto viruse kanë qarkulluar edhe vitet e kaluara dhe nga informacionet e OBSH-së rezulton se nuk paraqesin ndonjë veçori këtë vit,” është shprehur specialisti Dritan Ulqinaku në gazetën Panorama.
Ai ka shpjeguar se shenjat e prekjes nga gripi janë dhembje koke, kollë, temperaturë e lartë.
Ai ka shtuar se numri i të prekurve nga virozat ka rritur në 13.000, por sërish është më i ulët se vitin e kaluar.
“Përgjithësisht muaji shkurt shënon pikun e rasteve me grip. Nuk duhen neglizhuar shenjat e tij aq më tepër kur zgjat më shumë për 5 ditë dhe gjendja e pacientit rëndohet. Rreziku për epidemi apo edhe deri në humbje të jetës është gjithnjë prezent”, pohon Ulqinaku.
Ai pohon se virusi AH3N2 është më i rëndë pasi shkaktoi viktima në Amerikë, rreth 200 të tillë.
Ulqinaku tregon se grupmoshat që rrezikojnë janë të moshuarit, fëmijët dhe personat që vuajnë nga sëmundjet kronike.
Ai apelon se: “Duhet të bëhet kujdes me higjienën, sidomos në institucionet publike ku ka më shumë njerëz, si shkollat, universitete apo kopshtet”.
Megjithatë Ulqinaku shprehet se s’ka vend për panik në popullatë.