Kalo te lënda

Thaçi u frikësua nga Krasniqi e Limaj

fotoNjëri e bojkotoi kongresin e PDK-së e i dyti nuk mundi të marr pjesë për shkak se është i paraburgosur.
Megjithatë, kjo nuk i pengoi bashkëpartiakët e tyre t’i propozojnë Jakup Krasniqin e Fatmir Limajn për anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të partisë.

Këtë veprim analistët politik kosovar nuk e shohin si mirënjohje për kontributin e këtyre dy zyrtareve në parti, por si përpjekje e liderit Hashim Thaçi për të treguar se nuk po i largon nga partia, apo edhe nga frika se mund t’ia destabilizojnë subjektin politik.

“Futja në listë e Jakup Krasniqit dhe Fatmir Limajt, është bërë për të treguar se gjoja ne nuk duam ti largojmë nga PDK-ja, por këta vet po donë të dalin. Ndryshe nuk ka si të jetë”, ka vlerësuar analisti Nexhmedin Spahiu për Indeksonline.

Pak më ndryshe mendon kolegu i tij, Bajrush Morina.

Ai thotë për Indeksonline se futjen e Krasniqit e Limajt në këshillin drejtues të PDK-së është më tepër një përpjekje e Thaçit që këta të dy t’i mbaj me zor në parti dhe si një përpjekje për t’i qetësuar “shpirtat e trazuar” të ithtarëve të Krasniqit e Limajt të cilët janë ende në PDK.

Mungesa e dy njerëzve më të afërt në parti, sipas Morinës, për nga hierarkia partiake, e mbi të gjitha konfliktet brendapartiake që kishin pasur në mes vete kohëve të fundit, nuk e entuziazmonin aq shumë Hashim Thaçin.
“Dukej se ai kishte ‘frikë’ se mos pahiri në palestër gjendet ndonjë ‘Jakup…ose ndonjë Fatmir” që për një moment do t’i përplasin karriget! Por kjo nuk ndodhi sepse organizatorët, kishin marrë masa të rrepta paraprake”, mendon Morina.

Ndonëse jo prezentë, sekretari i deritashëm i përgjithshëm i PDK-së Jakup Krasniqi dhe nënkryetari i saj, Fatmir Limaj, janë propozuar nga kryesia aktuale e PDK-së për anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të partisë. Si emra të ri janë propozuar edhe Kadri Veseli e Agim Çeku.

PDK për herë të parë prej themelimit të saj i ka hapur dyert për opinionin dhe për mediet.

Kjo parti në hapjen solemne të Kongresit pati të ftuar autoritet partish mbar shqiptare.

“Së fundi PDK-ja u qel. Organizoi një spektakël vizual, me drita të neonit, me alamet ekranesh televizive dhe me alamet përshëndetjesh servile të liderëve të partive nga të gjitha trojet shqiptare të cilët, natën e parë, iu përkulnin para Hashim Thaçit, si para Zotit”, vlerëson Morina.

I gjithë shkëlqimi që u pa në këtë tubim të partisë në pushtet nuk i ka bërë përshtypje Morines. Kongresi i PDK-së për të ishte i ngjashëm me ato që mbante diktatori shqiptar Enver Hoxhaj në Shqipërinë komuniste. Këtë përshtypje ai e kishte krijuar për shkak të mënyrës së votimit të kryetarit të partisë.

“Procesi i votimit më vota të hapura, nuk është demokratik, dhe i ngjau Partisë së Punës. Ani pse është ditur që përsëri Thaçi do të rizgjidhet, votimi është dashur të behët i fshehët. Derisa Thaçi nuk pati kundër kandidatë, kjo tregon se më këtë parti diç nuk është në rregull. Ai është kryeministër i vendit, dhe dihet se kryeministri nuk mund ti kënaq të gjithë, çdo herë ka pakënaqësi”. ka shtuar Spahiu. /M.B/Indeksonline/

Lini një koment