Rama: Shqipëria si Moldavia për barazinë gjinore
Në tryezën e organizuar nga Partia Socialiste për dhunën në familje, kreu i saj Edi Rama tha se kriminaliteti në shoqëri nuk mund të zgjidhet pa reformuar sistemin arsimor, punësimin, sistemin shëndetësor dhe drejtësinë. Por të gjitha këto tha ai nuk mund të ndryshohen me një qeveri që qeveris me padrejtësi.
“Përpara sa të krijojmë kushtet për një rilindje shqiptare të adresojmë drejtpërdrejtë, pa deliruar se mund ta bëjnë natën ditë pa kaluar nata. Lufta me shkaqet e krimit nis nga arsimimi, duke vazhduar me trajtimin profesional dhe punësimit, duke vazhduar me kujdesin shëndetësor dhe krijimin e kushteve për të pasur komunitet dhe sigurisht për të pasur drejtësi që të japi drejtësi. Askush nuk duhet të parafytyrojë se mund të gjejë drejtësi në pallatin e drejtësisë nëse në pallatin e qeverisë qeveriset me padrejtësi”, u shpreh Rama.
Lideri i opozitës foli për një realitet të hidhur në shoqërinë shqiptare duke thënë se, “Shqipëria është si Moldavia dhe Etiopia për barazinë gjinore”. Sipas tij shumë familje kanë shtëpi por nuk jetojnë në komunitet dhe nuk marrin shërbime publike.
Rama tha se numri i analfabetëve është rritur frikshëm pasi ajo ka shkuar në 15% dhe nga ana tjetër kemi rekord të diplomuarish në drejtësi. “Kemi numrin më të madh të juristëve për km katrorë në Evropë po për të gjetur një hidraulik nuk dihet se sa km katror duhet të kërkojmë”, tha kreu i PS-së./shekulli/