Nesër emrat e 151 anëtarëve të Këshillit Drejtues të PDK-së
Konventa e gjashtë e PDK-së, e cila ka nisur të shtunën, do t’i vazhdojë punimet edhe gjatë ditës së sotme, me ç’rast pritet të numërohen votat për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues. Basri Musmurati, koordinator i këtyre zgjedhjeve, ka thënë se të martën pasdite pritet të dihen emrat e 151 anëtarëve të Këshillit Drejtues të PDK-së.
“Gjatë ditës do të vazhdohet me numërim të votave, ku kanë votuar më shumë se 600 delegatë. Secili është dashur të votojë më së paku për 76 anëtarë, e më së shumti për 151. Një fletëvotim merr rreth 10 minuta, kështu që nesër pasdite do të dihen emrat e anëtarëve të Këshillit Drejtues”, i ka thënë Musmurati KTV-së.
Ndërkohë, me gjithë ftohjen e raporteve me udhëheqjen e partisë, Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj janë futur në listën e anëtarëve të Këshillit Drejtues të PDK-së, ndërkaq jashtë kësaj liste është lënë Hydajet Hyseni. Ai ka theksuar se vetë ka dashur që të mos futet në listë, por nuk ka treguar arsyet.
Ndërkohë, të dielën, Hashim Thaçi është rizgjedhur kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Ai është zgjedhur me aklamacion dhe ka pasur vetëm një votë kundër. Pasi mori besimin e delegatëve, i rizgjedhuri në krye të PDK-së, Hashim Thaçi, ka thënë se PDK-ja do të jetë fituese edhe në zgjedhjet e ardhshme. Ndërsa në kuadër të ndryshimeve statutore, PDK-ja është profilizuar si parti e qendrës së djathtë.