Kalo te lënda

Nëna e Bleona Matës: Do marr hak ndaj familjes Mata

bleona-mata-300x208“Zenel Mata le të thotë ç’të dojë. Mua më braktisën dhe po mbron të bijën, që ka gisht në zhdukjen e Bleonës. Mbi mua hodhën baltë, por një ditë do të marr hak”, ka deklaruar Bukurie Mata nëna e Bleona Matës, vogëlushes që pas pak muajsh mbushen tre vite nga zhdukja e saj.

“Bleonën po e kërkojmë unë dhe familja ime. Prindërit, motra dhe vëllai im, ku unë jetoj, janë të vetmit që më mbështesin në kërkimet e mia. Ish- familja e saj e ka harruar, e ka braktisur. Unë kam vajtur në çdo shkollë, me shpresën se mos e gjej Bleonën. Kam shkuar edhe privatisht jashtë Shqipërisë për të verifikuar çdo informacion që na vjen, qoftë edhe fare të parëndësishëm në dukje. Do ta kërkoj gjithmonë. Sa u përket hetimeve dhe kërkimeve, unë jam interesuar herë pas here po nuk ka asgjë konkrete”.

Nëna e Bleonës hedh akuza të ashpra edhe ndaj Policisë së Kukësit.

“Policia e Kukësit nuk e hetoi zhdukjen e Bleonës. Deri kur dosja kaloi tek Krimet e Rënda, ishte shumë vonë. Bleona ishte zhdukur ndërkohë. Policia nuk insistoi që vajzat që ishin me të (halla dhe kushërirat e saj) t’u tregonin rrëmbyesin e sime bije, po u mjaftuan me pyetjet formale dhe gënjeshtrat e tyre”, akuzon Bukuria në GSH.

Ajo kërcënon se do të hakmerret ndaj familjes së burrit.

“Nuk është kërcënim. Unë do të hakmerrem ndaj asaj familjeje që mbron rrëmbyesit e Bleonës. Ndaj asaj familje që më përbalti dhe harron Bleonën, që as nuk do t’ia dijë për fatin e një vajze të mitur, që tani mbush plot nëntë vite. Unë jam nënë dhe jetoj me dhimbje zhdukjen e saj. Nuk do të gjej qetësi dhe rehati derisa Bleona të gjendet. Sot jam me fëmijë të vogël, pasi kam djalin për të rritur, por do të bëj vetëgjyqësi një ditë. Do e shuaj familjen Mata që ka gisht në zhdukjen e Bleonës. Më kanë akuzuar mua? Por a mundet një nënë të zhdukë të bijën e mitur. Nuk e di nëse e beson njeri këtë. Përse do e zhdukja? Unë po e kërkoja gjithandej dhe s’kam për të reshtur kurrë”, deklaron Bukuria.

Ajo jeton me shpresën se do e gjejë të bijën një ditë dhe e ndjen se ajo është gjallë.

Lini një koment