Masakroi Ajshen, 25 vite burg “monstrës së Durrësit”
Gjykata e Durrësit dënon me 25 vjet burg 80-vjeçarin Shaban Norja, i cili masakroi mbrëmjen e 11 tetorit 2012, 18-vjeçaren Ajshe Vata, me të cilën siç ka deklaruar ka pasur një lidhje intime.
Mësohet se Norja është dënuar me 25 vite burg pasi ka pranuar gjykimin e shkurtuar. Ai ka pranuar para trupit gjykues vrasjen e 18-vjeçarjes Vata, për shkak se ajo nuk abortonte fëmijën që priste nga ky i fundit. Ndërkohë që më herër prokuroria ka kërkuar burg përjetë për “monstrën e Durrësit”.
Ngjarja e rëndë tronditi mbarë opinionit publik. Gjetja e trupit të një femre, i masakruar dhe pa kokë më tepër se sa skenave të një filmi horror ngjante me të pabesueshmen. Por hetimet çuan në kapjen e autorit, i cili pranoi se e kishte kryer krimin me gjakftohtësi dhe krejt i vetëm.
Ajshe Vata u gjet e masakruar pa kokë mëngjesin e 11 tetorit nga një bashkëfshatar i saj, në një arë me misër në fshatin Xhafzotaj, aty ku edhe jetonte. Kur ekspertiza vërtetoi se ajo ishte shtatzënë, hetimet morën një rrjedhë tjetër derisa u bë e mundur kapja e Shaban Norjas. Ekspertët arritën në konkluzionin se vajza ishte abuzuar që 14-vjeç nga Norja, i cili ka deklaruar më pas që e vrau vajzën për shkak se nuk donte të abortonte fëmijën që priste nga ai, raporton BW.
Sipas organit të akuzës Norja ka kryer ekzekutimin e 18-vjeçares, fillimisht me armë zjarri tip pistoletë dhe më pas e ka gjymtuar, duke i prerë kokën viktimës me një sëpatë me mendimin që të mos identifikohej.
“E qëllova me plumb nga pas dhe pastaj ia preva kokën me sëpatë. Kokën e keni te ferrat pranë arës me misër”. Ky ka qenë deklarimi i tmerrshëm i Shaban Norjes, 80 vjeç, që zbardhi ngjarjen makabre të masakrimit të 18-vjeçares Ajshe Vata nga Xhafzotaj i Durrësit. Pas dëshmisë së tij, koka u gjet e fshehur rreth 100 metra larg vendit të krimit.