Dajë e nip udhëheqin ndërmarrjen publike
Bekim Jashari thotë se u tërhoq nga votimi dhe se nuk ndikoi kur nipi i tij Bahri Nuredini mori votat për Kryeshef Ekzekutiv në mbledhjen e Bordit të Drejtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Dy pozitat kryesore të kësaj ndërmarrje udhëhiqen nga njerëz me afërsi familjare. Agjencia Kundër Korrupsion vlerëson se kjo situatë paraqet nepotizëm. Po ashtu edhe Kodi i Etikës për Ndërmarrjet Publike parasheh kufizime për punësimin e njerëzve të cilët paraprakisht kanë një të afërm të punësuar në një ndërmarrje.
Bahri Nuredini mban pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Aeroportit Ndërkombëtar Prishtinës, përkatësisht pjesës që menaxhohet nga shteti, e që ka përgjegjësinë e kontrollit të trafikut ajror, shkruan gazeta Jeta në Kosovë
Për punën e tij ai i raporton djalit të dajës i cili është më i lartë në hierarkinë e kësaj ndërmarrjeje publike.
Bekim Jashari, daja i Kryeshefit Ekzekutiv, mban pozitën kryesore në kompani. Atë të Kryetarit të Bordit Drejtorëve. Të ardhurat vjetore nga kjo pozitë bazuar në deklarimin e pasurisë së tij në Kundër-Korrupsion janë mbi 13 mijë euro.
Kryetari dhe anëtarët tjerë të bordit janë anëtarë jo-rezident të ndërmarrjes dhe paguhen për mbledhjet periodike që i mbajnë.
Kjo trupë vendosi javën e tretë të këtij muaji që nipin e kryetarit të bordit ta emërojë për Kryeshef Ekzekutivë të kompanisë, një pozitë që paguhet mbi 36 mijë euro në vit.
Më 17 janar Zyra për Media e ANP-së dërgoi një njoftim ku tregonte se Bordi i Drejtorëve kishte emëruar katër zyrtarët më të lartë të ndërmarrjes.
Në këtë kumtesë thuhej se Bordi i Drejtorëve kishte vendosur që Bahri Nuredinin ta zgjedhë për Kryeshef Ekzekutivë ndërsa Valon Grabovcin për zyrtar kryesor financiar dhe të thesarit, Xhyldane Kiçmarin zyrtare për auditim të brendshëm si dhe Valmir Hylenajn për sekretar kompanie.
“Kjo përzgjedhje është bërë pas një procesi shumë transparent të udhëhequr nga Bordi i Drejtorëve të ANP ‘Adem Jashari’ SH.A. dhe në përputhje të plotë me Ligjin për Ndërmarrjet Publike”, thuhej në njoftimin e Zyrës për Media të kësaj ndërmarrje.