Kalo te lënda

Thaçi rizgjedhet kryetar i PDK-së

f.0127125538243_aE plotësuar – Me vetëm një votë kundër, delegatët e Konventës së Partisë Demokratike të Kosovës e kanë rizgjedhur Hashim Thaçin kryetar të këtij subjekti politik.
Në votimin për Kryetar të PDK-së kanë marrë pjesë 719 delegatë, nga ta 718 kanë votuar pro kandidaturës së Hashim Thaçit, derisa vetëm 1 delegat ka votuar kundër.

Në fjalën e tij para delegatëve, Thaçi i ka falënderuar për besimin e dhënë.

“Ju falënderoj për besimin që ma keni dhënë”, ka thënë ai.

“Në këto 13 vite PDK ka kaluar neper sfida dhe ka qenë përballë vendimeve të rënda, por bashkërisht i kemi tejkaluar këto situata. Kjo është vlerë e PDK-së”, ka pohuar Kryetari i PDK-së.

Më pas, ai i ka siguruar ata se partia, nën udhëheqjen e tij, do t’i fitojë zgjedhjet.

“Të nderuar delegatë, ju siguroj se si Kryetar i PDK-së do t’i fitojmë zgjedhjen lokale dhe nacionale”.

Një fjalë të shkurtër ka mbajtur edhe zëvendësi i deritashëm i Thaçit, Hajredin Kuçi.

“Jemi me fat që kemi një Lider që reflekton unitetin e partisë”, tha ai.

Tani delegatët kanë dalë në pauzë, për t’u kthyer më pas për procesin e zgjedhjes së Këshillit Drejtues të PDK-së. /Telegrafi/
——————————————-

Para se të votohej, Thaçi ka kërkuar nga delegatët që votimi për Kryetar të bëhet me votë të fshehtë, e jo me aklamacion. Ky propozim është hedhur në votim, dhe përveç Thaçit, të gjithë delegatët kanë votuar që votimi të jetë i hapur. Dhe kështu ka ndodhur.

Vetëm një delegat ka votuar kundër Thaçit, të gjithë kanë votuar pro kandidaturës së tij.

Aktualisht, Kryetari i sapozgjedhur i partisë më të madhe në vend po mban një fjalim para të pranishmëve. /Telegrafi/

——————————————————–
Ka nisur me dy orë vonesë Konventa e VI-të e PDK-së. Ashtu siç edhe kishin paralajmëruar një ditë më parë, në punimet e kësaj konvente zgjedhore nuk po marrin pjesë sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Jakup Krasniqi si dhe një nga themeluesit e kësaj partie Hydajet Hyseni.

Hapjen e punimeve e ka bërë Basri Musmurati, derisa më pas është zgjedhur Kryesia e Punës.

Për këtë detyrë janë zgjedhur Enver Hoxhaj, Hajredin Kuçi, Flora Brovina, Vlora Çitaku, Xhavit Haliti, Ganimete Musliu, Arsim Bajrami, Drita Kadriu dhe Ramë Buja.

Në agjendën e Kongresin tash janë miratimi i ndryshimeve statutare, derisa në mesditë pritet të zgjidhet Kryetari i partisë dhe më pas do të votohet për Këshillin Drejtues.

Deri më tash Hashim Thaçi është kandidati i vetëm për postin e të parit të PDK-së. /Telegrafi/

Lini një koment