Propozohet dekorimi i politikanëve të akuzuar
Këshilli Organizativ për festimet e pesëvjetorit të shtetit i ka propozuar presidentes së Kosovës dekorimin e anëtarëve të Grupit të Unitetit dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës të cilët shpallën Pavarësinë. Por një numër i këtyre zyrtarëve e kanë të pamundur të dekorohen bazuar në legjislacionin në fuqi për shkak se ose janë dënuar për krime ose janë nën hetime.Sipas Gazeta Jeta në Kosovë, në tavolinën e presidentes Atifete Jahjaga ka mbërritur një propozim për dekorimin e burrave që drejtuan Grupin e Unitetit në negociatat për statusin final të vendit, pastaj 120 deputetët që kanë nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë, kurse dekorimi ishte dashur të bëhet më 17 shkurt, gjatë kremtimit të 5-vjetorit të pavarësisë. .
Propozimi është dërguar në Presidencë nga ana e Këshillit organizativ të kremtimit, që drejtohet nga zv/kryeministri Hajredin Kuçi. Këtë e ka konfirmuar Memli Krasniqi, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe zëdhënës i Këshillit Organizativ.
“Presidentes i është dërguar kërkesa për t’i dekoruar të gjithë anëtarët e Grupit të Unitetit që kanë qenë në negociata dhe deputetët që shpallën Pavarësinë”, thotë Krasniqi, pa ditur nëse Presidenca tashmë ka marrë vendim për këtë. .
“Presidenca së shpejti do të formojë komisionin përkatës, i cili do të shqyrtojë propozimet. Unë nuk i kam parë ato”, tha Arbër Vllahiu, këshilltar i Jahjagës.
Por, sipas legjislacionit kosovar, “propozime nuk mund të bëhen për ata persona që kanë qenë të dënuar për krim të rëndë apo janë nën hetime sipas ligjeve në fuqi”.
Nga personat që do të mund të goditeshin nga ky përjashtim ligjor janë Bujar Bukoshi, Fatmir Limaj, Nexhat Daci dhe Rrustem Mustafa-Remi.
Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, në rast se Presidentja do të dekoronte deputetë të tillë, ajo mund të rrezikojë të shkelë ligjin.