PDK-ja synon ta dominojë Bordin e RTK-së
Kuvendi i Kosovës nuk pritet të ketë rrjedhë normale të punës as javën që vjen. Kjo për faktin se deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës nuk do të tërhiqen nga kërkesa për ta shfuqizuar votimin e anëtarëve të Bordit të RTK-së.
E gjasat që kjo gjë të ndodhë, nëse seanca udhëhiqet nga kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, janë minimale, shkruan Koha Ditore.
Sipas gazetës, burime brenda kësaj partie kanë bërë të ditur se strukturat drejtuese të partisë nuk janë të kënaqura me rezultatin që ka sjellë votimi i së enjtes, pasi nga ky proces ka dalë një anëtar që dyshohet të jetë i afërt me AAK-në dhe ka mbetur jashtë një anëtar tjetër që është i pranueshëm për partinë.
I afërt me AAK-në është cilësuar Faton Mehmetaj, kurse i pranueshëm për PDK-në, Murat Musliu.
“Siç dihet, të enjten janë zgjedhur për anëtar të Bordit të RTK-së Besa Bytyqi dhe Faton Mehmetaj. E para është e pranueshme, por jo edhe Mehmetaj. PDK-ja ka dashur që të zgjidhet edhe Murati, por ai tash ka mbetur jashtë lojës”, ka thënë zyrtari i PDK-së.
Problem, sipas tij, paraqet fakti se edhe dy kandidatët që kanë mbetur për t’iu nënshtruar votimit, asnjëri nuk shihet si i afërt me PDK-në. Është fjala për Mustafë Halilin dhe Blerta Zeqirin.