Urojnë liderë të shumë partive
(E plotësuar) Përderisa disa ditë më herët i kishte akuzuar qytetarët e Preshevës se është dashur vetë ta mbrojnë lapidarin dhe se mos rezistenca e tyre ishte turpëruese gjatë kongresit së partisë që e drejton Hashim Thaçi tha se ‘Do të jetë gardiani i të drejtave të shqiptarëve kudo që janë”
Gjatë kongresit është transmetuar një film që kishte për fokus kryeministrin Hashim Thaçi.
Konventen e PDK’së, e ka përshëndetur edhe Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
“Hashim Thaçi dhe PDK janë në rrugën e duhur”, tha Rama.
Ndërkaq kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa ka thënë se shpreson se Thaçi do ta nënshkruajë bashkimin kombëtar.
—
Zëvendëskryeministri shqiptar, Ilir Meta, njëherësh Kryetar i LSI-së, ka lavdëruar udhëheqjen e PDK’së për Kongresin, derisa ka rikujtuar se kjo parti doli nga lufta e UCK’së.
Ali Ahmeti, Kryetar i BDI’së, ka thënë se PDK kaloi nëpër vështirësi të mëdha, por ia doli t’i kryej obligimet kombëtare.
“Suksese juve, suksese Kosovës”, ka thënë ai.
—
Në fjalën e tij, nënkryetari i kësaj partie, Hajredin Kuci i ka përshëndetuar delegatët e PDK’së dhe mysafirët.
“PDK e ka ruajtur kohezionin nacional”, ka thënë ai, shkruan Express.
Të pranishmëve iu ka drejtuar Teuta Sahaciu, Nënkryetare e LDK’së, e cila ka uruar për një kuvend të mbarë.
—
Pas kryeparlamentarit, Jakup Krasniqit, mos pjesëmarrjen e tij në Kongresit të VI të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e ka konfirmuar Hydajet Hyseni.
—
Gjithçka gati në Partinë Demokratike të Kosovës për fillimin e Kongresit të Gjashtë Zgjedhor. Kongresi do të nisë sonte në mënyrë solemne, derisa punimet për zgjedhjen e kryetarit dhe të strukturave të tjera të partisë, do të zhvillohen nesër. Zyrtarët e PDK-së e vlerësojnë si mjaft demokratik procesin e brendshëm zgjedhor, përderisa monitoruesit e këtij procesi flasin për mungesë demokracie.
Partia më e madhe në vend, Partia Demokratike të Kosovës, pas shtatë vjetësh, mban zgjedhjet e rregullta brenda partiake. Pas një procesi disamujor, zgjedhjet përmbyllen sot dhe nesër me zgjedhjen e kryetarit dhe të organeve tjera drejtuese të partisë.
Kryetari aktual Hashim Thaçi nuk ka kundër kandidat në garën për kryetar. Gjatë punimeve pritet të bëhen ndryshime në statut dhe në program. Një prej tyre, është edhe ndryshimi i emërtimit të Kongresit në Konventë Zgjedhore.
Të pranishëm në hapjen solemne të punimeve, sipas zyrtarëve të PDK-së, do të jenë presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, krerët e shumë partive në vend, kreu i PS-së, Edi Rama, ai i BDI-së, Ali Ahmeti, kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha, e të tjerë.
Në këtë Kongres, PDK-ja mblidhet pa nënkryetarin e parë, Fatmir Limaj, i cili ndodhet në paraburgim dhe pa sekretarin e përgjithshëm Jakup Krasniqi, i cili ditë më parë i kërkoi kreut të partisë shtyrjen e Kongresit për shkak të mungesës së Limajt, ndërsa të premten përmes një komunikate e bëri të ditur se nuk do të jetë pjesë e Kongresit.
Por, nga ana tjetër, ish kryeministri Agim Çeku, aktualisht ministër i FSK-së, e la Partinë Socialdemokrate, kryetar i së cilës ishte për t’iu bashkuar PDK-së.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci tha se shtyrje të Kongresit nuk ka mundur të ketë për shkak se vendimi ka qenë për 26 janar dhe ai duhet të respektohet, ndërkohë ka shprehur keqardhje për mungesën e Limajt, për të cilin ka thënë se gjithsesi është në mesin e PDK-së. Grabovci e vlerëson lart procesin zgjedhor në PDK.
“Përjashto ndonjë lëshim të vogël që absolutisht nuk ndikon fare, këtë proces e ka përcjellur një frymë e mirëfilltë demokratike, kemi pasur zgjedhje vërtetë demokratike, është bërë përpjekje që të respektohet vullneti i gjithë anëtarëve të PDK-së. U është lejuar hapësirë e mjaftueshme për të shprehur vullnetin e vet”, tha Grabovci.
Por, njësoj nuk mendon Albert Krasniqi nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED).
“Kuvendi i fundit kur të përmbyllet dhe gara për kryetar është ajo që mund të shihet pjesa me e madhe e vlerësimit për garën e PDK-së, por deri tash kemi parë shumë raste kur kryetarët e degëve janë zgjedhur pa kundërkandidat, me aklamacione, kur mediat dhe vëzhguesit janë nxjerrë nga sallat e votimeve ku janë mbajtur, kështu që lenë shumë hapësirë për një demokraci shumë të ulët që kemi aktualisht në PDK”, tha Krasniqi për Radio Kosovën.
Në Kongresin e PDK-së që do të nisë sot solemnisht për të vazhduar punimet nesër, pritet të jenë rreth 700 delegatë, që është numri më i madh që ka pasur ndonjëherë në një proces zgjedhor partiak në vend.
Pjesë e kongresit do të jetë raporti i punës, raporti i institucioneve të vendit dhe raporti financiar. Do të ketë, po ashtu, propozime për ndryshime në statut dhe në program, për të cilat duhet të vendos kongresi.
Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës nuk ka mbajtur zgjedhje të rregullta që nga viti 2005, përderisa nga ai vit, herë pas here ka legjitimuar strukturat udhëheqëse përmes kuvendeve të jashtëzakonshme, sa për të plotësuar anën formale të ligjit. /Indeksonline/