Liderët e djathtë shqiptarë bojkotojnë PDK-në e ‘majtë’
Kongresi i gjashtë Zgjedhor i PDK-së ka filluar sot punimet ku do të zgjidhen organet e reja të partisë. Në pjesën e parë ceremoniale, Kongresin e kanë përshëndetur liderë e përfaqësues të partive politike nga hapësira shqiptare, mirëpo shumica prej tyre i takonin spektrit politik të majtë.
Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Ilir Meta, kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, Paskal Milo, kryetar i Demokracisë Sociale, ishin disa nga liderët socialist që morën pjesë hapjen e punimeve të Kongresit të PDK-së.
Asnjë nga liderët e partive shqiptare që synojnë që i takojnë profilit të djathtë, nuk mori pjesë.
Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike, Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Menduh Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare, Shpëtim Idrizi, kryetar i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane, etj., u përfaqësuan nga zyrtarë të nivelit të dytë apo zyrtarë tjerë partiak.
Duket se mungesa e liderëve të partive të djathta shqiptare e konfirmon edhe një herë PDK-në si parti e orientuar majtas, edhe pse një gjë e tillë nuk pranohet nga krerët e saj.
Pritet që në ditën e dytë të Kongresit, ku edhe do të zgjedhen organet e partisë, të definohet profilizimi i PDK-së, pasi do të ndryshohet edhe statusi i saj. (ORAinfo)