Greta rrëfen marrëdhënien me Berishën
Këngëtarja Greta Koçi ka zhvendosur punën e saj prej disa kohësh, në selinë e Partisë Demokratike, në Tiranë.
Si nënkryetare e Forumit Rinor të PD-së, ajo ka rrëfyer marrëdhënien që ka me kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha.
“Marrëdhëniet e mia me kryeministrin janë marrëdhënie njerëzore së pari, marrëdhënie pune, shumë korrekte. Më duhet që për shkak të angazhimit dhe situatave të kontaktoj me të vazhdimisht, pasi më nevojitet pa diskutim edhe këshilla e tij. Natyrisht që nxitja dhe vendosmëria ime për të qenë pjesë e forumit rinor, për të marrë këtë pozicion që kam sot, ka qenë për shkak të konsideratës, të të pasurit idhull liderin më të madh politik që ka Shqipëria dhe vlerësimi im për kryeministrin”, ka thënë ajo per mediat shqiptare.
Tutje, ajo ka theksuar ato që vlerëson si cilësi të Berishës, duke thënë:
“Të them të drejtën, unë e dua shumë dhe e çmoj shumë për karakterin, për familjen e shëndoshë dhe për vlerat e tij si njeri, pasi përpara se të jemi gjithçka në këtë jetë duhet të jemi njerëz… Së dyti, e vlerësoj shumë për punën e palodhur që bën, për mbështetjen që u ka dhënë të rinjve. Unë shoh që ai si kryeministri i vendit, mes qindra punëve, ngarkesës së madhe, jep shenjë që ka një përqendrim dhe vlerësim të veçantë tek Forumi Rinor, tek të rinjtë, tek problemet e tyre. Duke parë këtë vëmendje të kryeministrit, puna ime dhe e neve të gjithëve në Forum vlerësohet.” /Indeksonline/
