Kalo te lënda

VV-ja akuzon Isa Mustafën për mungesë të çerdheve

fotoCAGR4UERSulejman Pireva, koordinator i nënkomiteteve në Qendrën e Prishtinës, deklaroi se në kohë fushatash Kryetari i Komunës, Isa Mustafa në secilën sferë të jetës shoqërore u premtonte qytetarëve të Prishtinës të gjitha të mirat e mundshme.

Mirëpo sipas tij, me t’u ulur në karrigen e kryetarit, premtimet e tij u avulluan dhe jeta e qytetarëve të Prishtinës veç se po rëndohet çdo ditë e më shumë. ”Premtimet e parealizuara nuk mund të quhen ndryshe përpos mashtrim i qytetarëve me paramendim, për të arritur deri tek vota e tyre. Pra, LDK-ja qytetarët e Prishtinës i njeh vetëm si votues e jo si qytetarë me të drejta dhe me nevoja.

Ashtu siç na premtonte me pompozitet 24 orë ujë të pijshëm, ngrohje cilësore gjatë dimrit, krijimin e policisë ndërtimore për të ndaluar ndërtimet e egra, krijim të vendeve të punës etj, Isa Mustafa gjatë fushatës na premtonte edhe nga një çerdhe për fëmijë, për secilën lagje të Prishtinës. Mirëpo edhe tani në përfundim e sipër të mandatit të tij si kryetar, mungesa e çerdheve publike për fëmijët e Prishtinës dhe gjendja në çerdhet ekzistuese, paraqesin një ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve të Prishtinës.

Çerdhet e premtuara për secilën lagje nuk u ndërtuan kurrë, ndërsa në ato tetë çerdhe publike që ka Prishtina mund të regjistrohen vetëm fëmijë, prindërit e të cilëve e kanë “një krah të fortë” në Komunë. Madje në çerdhet e Prishtinës më parë regjistrohet një fëmijë që jeton në njërën prej Komunave që kufizohet me Prishtinën e prindi i të cilit e ka “krahun e fortë” brenda Komunës së Prishtinës, se sa një fëmijë i një familjeje të zakonshme në Prishtinë, transmeton RTK.

Isa Mustafa dhe vartësit e tij duhet t’u japin përgjigje mijëra fëmijëve dhe mijëra prindërve të Prishtinës në pyetjen e tyre legjitime: Kryetar, ku janë çerdhet e premtuara? Për më tepër ata mbajnë përgjegjësi politike për mosofrimin e mundësisë për fëmijët e Prishtinës që të kenë mundësi të barabarta qysh në fillim të procesit edukativo-arsimor”, deklaroi ai

Ndërkaq asambleistja Afërdita Veliu ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje mbetet e përkushtuar që të ofrojë kushte më të mira të qytetarit përfshirë edhe çerdhet. Sipas saj, ato duhen të jenë me çmim sa më të ulët.

Lini një koment