Kalo te lënda

Në misione, vetëm me pëlqim të Kuvendit

fsk1Kuvendi i Kosovës, nga java e ardhshme, do të nisë përgatitjet për krijimin e bazës ligjore për dërgimin e Forcës së Sigurisë në misione paqësore e humanitare në botë.
Projektligji, me anë të të cilit pretendohet të rregullohet kjo çështje, u është shpërndarë deputetëve në fund të vitit të kaluar dhe javën e ardhshme pritet t’i nënshtrohet leximit nga ana e anëtarëve të Komisionit për mbikëqyrje të FSK-së.

Në operacionet jashtë vendit parashihet të dërgohen vetëm ata që janë përgatitur dhe stërvitur për situata të caktuara, shkruan Koha Ditore.

Drejtori i Departamentit për marrëdhënie me publikun në MFSK, Ibrahim Shala, konsideron se FSK-ja ka mjaft pjesëtarë të tillë.

“Në fusha të caktuara, siç është deminimi apo kërkim-shpëtimi, FSK-ja ka arritur kapacitetet e plota operacionale dhe është e gatshme t’i kryejë me sukses misionet e tilla”, ka thënë ai.

Njësitet e FSK-së, sipas tij, kanë kryer trajnime edhe për raste të tjera dhe janë të gatshme për të bashkëpunuar me ushtri të konsoliduara që janë pjesë e NATO-s.

Edhe vetë ministri i FSK-së, Agim Çeku, para pak ditësh ka konfirmuar se FSK-ja ka pasur shumë trajnime jashtë vendit, ku ka përvetësuar përvoja të mira ushtarake.

Lini një koment