Kalo te lënda

Mustafa thotë se është i pastër

f_0113084600880_mIsa Mustafa nuk i frikohet dëshmisë që Musa Daka i dha një prokuroreje të EULEX-it në lidhje me keqpërdorimet në fondin e tre përqindëshit. Ai, përmes zëdhënësit të LDK-së, tha se akuzat e Dakës janë shpifje dhe përpjekje për ta dëmtuar LDK-në. Njeriu që administroi paratë e mërgimtarëve gjatë viteve 90-të ndihet plotësisht i pastër.

Isa Mustafa nuk i merr seriozisht fjalët e Musa Dakës. E aq më pak deklaratat që Daka i dha në EULEX. Ai vazhdon të pohojë se ky i fundit ia ka inatin LDK-së, prandaj edhe po flet çka është një e zezë kundër kësaj partie. Duket se ai po e nënvlerëson aq shumë sa të shtunën nuk u mor personalisht me këtë çështje. Në vend të tij folën zyrtarë tjerë të partisë.

Sipas Fidan Jupollit, zëdhënës i LDK-së, dëshmia që Daka ia dha misionit ndërkombëtar për sundimin e ligjit në Kosovë nuk është aspak e rëndësishme për partinë e as për kryetarin.

“Sa i përket Fondit të 3 përqindëshit, atëbotë Qeveria e Kosovës të gjitha raportet financiare të këtij fondi ia ka dorëzuar organeve kompetente”, ka thënë të shtunën Jupolli për Express.

Sipas zëdhënësit të kësaj partie, secili qytetar dhe krejt institucionet e Kosovës janë të vetëdijshme për të gjitha këto raporte.

“Krejt e dinë se ku kanë shkuar dhe si janë shpenzuar paratë e fondit cent për cent”, sqaron ai.

Jupolli thotë se janë vetë udhëheqësit e 3-përqindëshit ata që janë kujdesur që ky raport t’i dorëzohet edhe Kuvendit e edhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Prandaj kryetari dhe e gjithë Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se çdo deklaratë e Musa Dakës është veç një akuzë politike kundër partisë sonë”, ka thënë Jupolli. /Telegrafi/

Lini një koment