Modeli i dy Gjermanive nuk vlen në rastin e Kosovës dhe Serbisë
Modeli i rregullimit ndërmjet dy Gjermanive gjatë pjesë së dytë të Luftës së Ftohtë nuk do të funksiononte në rastin e Kosovës dhe Serbisë, thotë Mitchel Haltzel, ish-këshilltar i lartë për politikë të jashtme i senatorit Joe Biden – tash zëvendëspresident i SHBA-së. “Shqiptarët dhe serbët nuk janë i njëjti popull”, thotë Haltzel.
Fillimisht ky model ishte përmendur më 2007 nga ish-ndërmjetësi evropian në bisedimet e statusit për Kosovën, diplomati gjerman Wolfgang Ischinger.
Modeli gjerman – sipas kushteve të marrëveshjeve mes Gjermanisë së atëhershme Perëndimore dhe asaj Lindore – nënkupton që Serbia nuk do ta njihte zyrtarisht Kosovën, megjithëse do të hapte rrugë në anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara dhe do të respektonte sovranitetin e saj. Misionet diplomatike do të njiheshin si përfaqësime të përhershme dhe do të vendoseshin në kryeqytetet e njëra-tjetrës ndërsa marrëveshje tjera do të përfshinin qarkullimin e mallrave, njerëzve dhe shërbimeve si dhe do të rregullonin planifikimin hapësinor dhe ambientin, shkruan “Gazeta Jeta në Kosovë”.
Marrëveshja themelore (Grundlagenvertrag), në pikën 2 të saj, tekstualisht thotë se “Republika Federale e Gjermanisë dhe Republika Demokratike Gjermane (DDR) do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e parashtruara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato të barazisë sovrane të gjithë shteteve, respektimit të integritetit territorial, pavarësisë, autonomisë dhe të drejtës së vetëvendosjes, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe jo-diskriminimit”.
Përmes kësaj marrëveshjeje, dy Gjermanitë pajtoheshin të respektonin sovranitetin territorial të njëra-tjetrës si dhe hiqnin dorë nga përfaqësimi i tjetrës palë ne sferën ndërkombëtare. Vlen të përmendet që në marrëveshja u referohet dy Gjermanive si shtete.
Ky model është riakutalizuar së voni ndërsa instituti KIPRED në fund të 2012-tës paralajmëronte se mund të shtyhej nga organizatat dhe diplomatët perëndimorë. Por, diplomati Haltzel thotë se Serbia nuk duhet krahasuar me Gjermaninë e pas Luftës së Dytë Botërore.
“Ekzistojnë ndryshime thelbësore. Së pari, Serbia nuk është okupuar”, thotë historiani Haltzel. “Në Gjermani kemi pasur qindra mijëra trupa dhe kemi drejtuar vendin me një guvernator ushtarak. Në Serbi nuk ka një guvernator të huaj ushtarak. Në Serbi nuk ka një forcë okupuese që e shtynë atë të veprojë. Është shumë më ndryshe”, shton ai, duke theksuar se edhe përtej kësaj, rregullimi sipas modelit të dy Gjermanive nuk do të ishte funksional.
“Në rastin e Gjermanive, ishin gjermanë në të dyja anët”, thotë ai. “Nuk mendoj që ka njerëz në Beograd të cilët e quajnë vetën shqiptarë të Kosovës. Sigurisht që ka njerëz që kanë ndjenja të përziera. Por, shumica mendojnë ndryshe”.
Prandaj, sipas tij, normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë është alternative e vetme për te ecur para. Me normalizim, shtoi ai, Kosova do të fitonte anëtarësimin në institucione ndërkombëtare politike dhe financiare, përfshirë në Kombet e Bashkuara, ndërsa edhe sportistët e saj do të mund të ecnin përpara.
Ai gjithashtu mendon që Serbia do të duhej të kërkonte falje vendeve që u shkaktoi vuajtje, sidomos Kosovës dhe Bosnjës.
Haltzel beson që Bashkimi Evropian është e vetmja alternativë për Ballkanin perëndimor.
“Së pari mendoj që ka Bashkimi Evropian me gjithë problemet e tashme që ka do t’ia dalë mbanë. Së dyti, për Ballkanin Perëndimor rruga e vetme mbetet anëtarësimi në BE. Nuk mendoj që ka ndonjë alternativë tjetër”.
Ish-këshilltari i Joe Bidenit, i cili konsiderohet si nënkryetari më me influencë në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, beson që Kosova do të bëhet anëtare e OKB-së dhe i sheh njohjet e Kosovës si sukses. Ai gjithashtu mendon se do të ketë lëvizje në mesin e pesë shteteve anëtarë të BE-së – Qirpos, Spanjës, Sllovakisë, Greqisë dhe Rumanisë – të cilat nuk e kanë pranuar Kosovën.
“Mendoj që një apo dy vende anëtare do ta bënin këtë (do ta njihnin), por jo të gjitha. Mund t’ju them që kam pasur disa diskutime të nxehta me ambasadorët e këtyre vendeve. Vetëm pse një iks shtet ka një minoritet nuk do të thotë që ata i kanë trajtuar minoritetet e tyre ashtu siç i ka trajtuar Serbia shqiptarët e Kosovës”, thotë Haltzel. “Kjo është naive”. /Telegrafi/