Kalo te lënda

Ende pa kryetar

f_0113090737453_mProcesi zgjedhor në PDK nuk ka përfunduar as të shtunën në qytetet më të mëdha të Kosovës. Zgjedhja e kryetarëve të degëve në Prishtinë, Prizren e Gjilan është shtyrë për të hënën. Zyrtarët e PDK-së kanë thënë se janë tejkaluar edhe përçarjet brenda partisë në Viti. E, Kryeministri Hashim Thaçi, që është kandidati i vetëm për t’u rizgjedhur Kryetar i PDK-së, ka dhënë premtime të reja për rajonin e Anamoravës.

As të shtunën nuk janë zgjedhur udhëheqësit e degëve të PDK-së në Prishtinë, Gjilan, Prizren, Kaçanik e Viti.

Në Kryeqytet, PDK e ka mbledhur Këshillin Drejtues të Degës, i cili ka zgjedhur Kryesinë, ndërsa për të hënën kanë paralajmëruar se do të votohet për Kryetar.

Më së shumti vota për Kryesinë e re të PDK-s në Prishtinë ka marrë Fatmir Sopi me 36, I dyti Lirak Çelaj me 33 vota, pastaj Blerand Stavileci me 32 vota.

Pas tyre është renditur kandidati tjetër i PDK-së për Kryetar të Kryeqytetit, Memli Krasniqi, pastaj Vlora Çitaku e Genc Prelvukaj.

Përgjegjësi për organizimin e zgjedhjeve në PDK, Bastri Musmurati ka deklaruar se përfundimisht të hënën Dega e Partisë në Prishtinë do të bëhet me Kryetar.

“Në Prishtinë është mbajtur Këshilli i Degës, që e ka zgjedhur Kryesinë e Degës prej 21 vetave. Ka mbetur për të hënën të zgjidhet edhe Kryetari i Degës”, ka thënë Musmuarati për Express.

Ai ka njoftuar se edhe në Gjilan, Fushë Kosovë, Prizren e Kaçanik është vendosur të votohet për Kryetarë të Degëve të hënën.

“Sot ka qenë Këshilli i Degës së Fushë Kosovës, e cila ka zgjedh Kryesinë. Edhe këta të hënën kanë mbetur me zgjedh Kryetarin. Në Podujevë është zgjedhur Kryesia e Partisë”, ka thënë ai.

Në Kuvendin Zgjedhor në Gjilan ka marrë pjesë edhe Lideri i PDK-së, Hashim Thaci, i cili ka premtuar investime në rajonin e Anamoravës.

”Nuk kemi bërë mrekullira , por e kemi bërë punën më të mirë të mundshme edhe si PDK edhe si institucione shtetërore. Të arriturat tona janë të pakrahasueshme me punën e partive tjera”, ka thënë Thaci para delegatëve të PDK-së në Gjilan.

Ai ka premtuar se më 1 tetor do të hapet universiteti publik në Gjilan me emrin e heroit kombëtar Kadri Zeka.

“Jam i sigurt se për Kosovën do të ketë të ardhme më të mirë e kjo lidhet me vizionin e PDK-së dhe qëllimin e saj për ta ndërtuar dhe avancuar jetën e qytetarëve të Kosovës. PDK është partia e parë e krijuar pas luftës në liri dhe për këto tetë vite po e udhëheqim Qeverinë dhe jemi treguar partia më e suksesshme”, ka deklaruar Kryeministri i Kosovës.

Edhe në Gjilan, Kryeministri Thaci ka premtuar ngritjen e pagave për të gjitha kategoritë e shoqërisë.

”Ne nuk jemi lodhur duke qeverisur, përkundrazi po marrim energji të reja. Ka pasur një vëmendje të shtuar ditëve të fundit për procesin zgjedhor në PDK dhe kjo na bën krenarë dhe të lumtur”, ka deklaruar Thaçi.

Ndërkohë, më së keqi zgjedhjet e PDK-së kanë kaluar në Degën e PDK-së, ku Kryetari aktual i Degës, Daut Xhemajli dhe Kryetari i Komunës, Nexhmedin Arifi, janë përplasur dhe nuk e kanë mbajtur ende Kuvendin Zgjedhor.

Zyrtari i PDK-së, Basri Musmurati ka deklaruar se janë tejkaluar edhe problemet në Viti dhe në mes të javës së ardhshme do të përfundojë edhe atje procesi zgjedhor.

“Në Viti ende nuk është mbajtur kuvendi. Javën tjetër do të përfundojë pasi mosmarrëveshjet janë tejkaluar plotësisht dhe ai është Kuvendi i fundit që do të përmbyllë procesin zgjedhor të PDK-së”, ka thënë Musmurati.

“Gjatë javës së ardhshme po e rrumbullakojmë këtë proces të zgjedhjeve në 760 nëndegë e 706 seksione”, ka shtuar ai.

Konventa Zgjedhore e PDK-së është paraparë të mbahet më 26 janar, ku do të votohet për Këshillin, Kryesinë dhe Kryetarin e ri të PDK-së. Deri më tash vetëm lideri aktual i PDK-së ka shfaqur ambicie për të udhëhequr edhe më tutje këtë parti.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Jakup Krasniqi, i ka injoruar të gjitha aktivitetet partiake dhe ka paralajmëruar se mund të formojë edhe parti të re. /Telegrafi/

Lini një koment