Bërlloku në klinika arsyetohet me punët në renovim
Dy shtretër të vjetër, nën të cilët ka plotë bërllok janë të vendosur në njërën nga dhomat e dedikuara për pacient të Klinikës e Gastroenterologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Aty është edhe një komodinë në mes të dhomës afër një tavoline që vetëm sa i shtojnë mbeturinat në këtë vend ku duhet të shtrihen të sëmurët.
Këtë papastërti zyrtarët e QKUK-së e arsyetojnë me renovimet që po bëhen në objektet e këtij institucioni.
Shpend Fazliu, zëdhënës në QKUK thotë se renovimet janë në fazën përfundimtare dhe se pas renovimit pacientët do të kenë kushte dhe infrastrukturë më të mirë.
“Si pasojë e rinovimit ku njëkohësisht në disa hapësira është punuar kurse në hapësirat e tjera ka pasur të shtrirë pacientë, gjatë bartjes së mbeturinave të rinovimit mund të jetë shkaktuar më shumë pa pastërti”, tha Fazliu për Indeksonline. Përveç kësaj shqetësuese është edhe gjendja e shtretërve dhe dollapëve, të cilët janë edhe inventari i vetëm në këto reparte.
Por Fazliu thotë se mundësitë buxhetore janë të vogla për blerje të inventarit të ri e në anën tjetër kërkesat janë të mëdha. “Sa i përket inventarit, kërkesat nga ana e Klinikave janë shumë të mëdha, përderisa mundësitë buxhetore janë të kufizuara dhe nuk arrihet të plotësohen të gjitha përnjëherë, sigurisht që në këtë drejtim punohet me prioritete”, tha Fazliu.
Sipas tij, gjatë kësaj kohe nuk po mungon kujdesi shëndetësor nga personeli ndërkohë që para pak ditësh është përuruar rinovimi i një pjese në Klinikën e Infektologjisë dhe Kirurgjisë, projekt ky që kapë vlerën e 1 milion dollarëve./Mimozë Hamza/Indeksonline/