Kalo te lënda

Tubim lamtumirës për veprimtarin Lanë Avdiu

  • foto-11-386x170Në mbrëmjen e lamtumirës, në Delemont të Zvicrës, pos familjarëve e mërgimtarëve nga pjesë të ndryshme të Zvicrës, merrnin pjesë edhe përfaqësues kantonal e komunal , si dhe konsulli i Kosovës në Cyrih, Salih Sefaj, ndërsa që arritën edhe telegrame të shumta ndër to edhe ai i liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj

     Rexhep Rifati

    Me rastin e vdekjes së veprimtarit Lan Avdiu ( i lindur më 19. 05 .1952 në Gjakovë),  në qytetin Delemont të kantonit Jura Zvicrës, ku edhe ai jetonte prej vitesh, u mbajt të premten me 10 janar një tubim lamtumirës, në shenjë kujtimi për jetën dhe veprën e këtij aktivisti të palodhshëm për çështjen kombëtare.  Në mbrëmjen përcjellëse, të organizuar nën përkujdesjen e BSHKJ-së dhe degës së AAK-së në Zvicër,  pos familjarëve dhe mërgimtarëve, merrnin pjesë edhe autoritete vendase në krye me kryetarin e komunës z. Rene Kohler , ndërsa nga pala shqiptare konsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih.

    Në sallën, ku ishte organizuar kjo ceremoni përcjellëse mërgimtarët, që kishin udhëtuar nga pjesë të ndryshme të Zvicrës, në mesin e të cilëve edhe mjaft miq e bashkëpunëtorë të të ndjerit Lan Avdiu, i cili ka gëzuar autoritet dhe ka pasur një rreth të gjerë dashamirësh, i shprehën ngushëllime bashkëshortes Zyrafetes dhe të birit, Arjanit Avdiu. Pasi me një minutë heshtje u nderua jeta dhe vepra e Lan Avdiut, mbrëmjen e shpalli të hapur në emër të Bashkësisë Shqiptare të Kantonit Jura, Luan Hajradinaj, i cili në mënyrë dinjitoze e drejtoi këtë ceremoni lamtumire për mikun e shokun që bashkëjetoi prej vitesh  në këtë mjedis.

    Ndër të parët që e morën fjalën në këtë mbrëmje, ishin miqtë zviceran:  z. Philippe Receveur, ministër për planifikim hapësinor të kantonit Jura dhe kryetari i komunës së Delemonit,  z. Rene Kohler, të cilët çmuan lartë aktivitetin dhe personalitetin e Lan Avdiut si dhe punën e mirë që bën komunitetit shqiptar në këtë mjedis multinacional, si komunitet i integruar dhe organizuar. Në emër të Degës së AAK-së në Zvicër, folën , kryetari i degës , Agim Pajaziti dhe kryetarja e Forumit të gruas së kësaj dege, Alije Mujaj, të cilët vlerësuan aktivitetin e Lan Avdiut , më parë si kryetar i degës së AAK për Zvicër e pastaj edhe si koordinator i kësaj partie për diasporë. Ndërsa në emër të institucioneve për jetën dhe veprën e Lanit folën konsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih, Salih Sefaj dhe këshilltari i ministrit të diasporës, Ahmet Hasani, i cili njëherësh edhe lexoi një letër ngushëllimi për familjen Avdia nga ministri i diasporës, Ibrahim Makolli. Gjithashtu u lexua edhe një telegram ngushtimi nga lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili çmonte lartë angazhimin e Lan Avdiut edhe si njeri, veprimtar e atdhetarë për çështjen e  Kosovës dhe çështjen kombëtare përgjithësisht. Telegram ngushëllimi kishte dërguar edhe ambasadori i Kosovës në Zvicër, Naim Malaj, si dhe shoqata, parti politike dhe individë.  Në emër të miqve të afërm të familjes foli Ilir Bytyçi i cili njëherësh lexoi edhe një letër ngushëllimi të të shoqes së tij, Edlira Dedja- Bytyçi , ndërsa në emër të shokëve të punës, gazetari Llukman Halili, i cili për një kohë kishte punuar bashkë me Lanin në RTK. Në fund në emër të familjes u falënderua, i biri i të ndjerit, Arjanit Avdiu.

    Kufoma e të ndjerit, Lanë Avdiu u përcoll të premten nga aeroporti i Cyrihut për në vendlindje.

 

Lini një koment