Thaçi: Do t’iu lodhim me projekte
Ka nisur punën Kuvendi i IV-të zgjedhor i degës së PDK-së në Gjilan, ku po merr edhe kreu i kësaj partie, Hashim Thaçi, i cili është shprehur i bindur se strukturat që do të dalin nga ky Kuvend do ta fuqizojnë edhe më tepër PDK-në e Gjilanit.
Ai ka thënë para delegatëve të kësaj dege se Gjilani do ta ketë vëmendjen e plotë të qeverisë se Kosovës në të ardhmen. “Ne do ju mbështesim aq shumë me projekte, saqë ju do të lodheni”, ka thënë ai.
Thaçit, ka premtuar se Universiteti Publik i Gjilanit do të bëhet realitet këtë vit dhe se emri i tij do të jetë “Kadri Zeka”.
Duke folur për zgjedhjet e brendshme partiake, Thaçi ka lavdëruar Gjilani për procesin e deritanishëm zgjedhor duke thënë se ka kaluar në frymën e konkurrencës së mirëfilltë dhe të vlerave që janë kudo në PDK anembanë vendit, duke dëshmuar kështu që ky subjekt është më i organizuari, raporton Express.
Ndërsa, Basri Musmurati, koordinator i zgjedhjeve në PDK ka folur për rrjedhën e gjertanishme të zgjedhjeve në këtë subjekt politik duke thënë se ato janë zhvilluar në frymën demokratike.
Kuvendi po vazhdon me punën e saj, me rrjedhjen e mëtutjeshme të procesit zgjedhor, ku pritet të zgjidhet Këshilli Drejtues i Degës. Nga ky këshill do të zgjidhet kryesia e degës e më pas do të zgjidhet edhe kryetari i saj./Indeksonline/