Kalo te lënda

Ndërkombëtarët e krijuan problemin në veri

sejdiu-645x400Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka mbështetur deklaratën e ish- komandantit të KFOR-it në Kosovë, Klaus Reinhardt, i cili dje në një konferencë tha se, Mitrovicën e ndanë ndërkombëtarët.

Sejdiu tha se pjesa ndërkombëtare ka penguar procesin e shuarjes së strukturave paralele dhe ndarjes së deritashme të pjesës veriore të Mitrovicës.

“E dëgjova ish-komandantin Reinhard dhe këtë përgjigje e kam thënë edhe kur kam qenë president i vendit se, pjesa ndërkombëtare ka penguar procesin e shuarjes së strukturave paralele dhe të ndarjes së deritashme të pjesës veriore të Mitrovicës”, tha Sejdiu në një ligjëratë në Universitetin AAB, duke theksuar se bashkësia ndërkombëtare në atë kohë ka pasur pothuajse kompetenca të plota në atë pjesë.

“Mbrojtësit e urave në Mitrovicë, në një kohë janë quajtur nga UNMIK-u, OSCE-ja edhe nga faktorë të tjerë, banda të Serbisë. Pse të tolerohet banda që të veprojë, kur dihet se kjo ka qenë kompetencë e tyre e drejtpërdrejt”, theksoi Sejdiu, duke shtuar se, edhe tolerimi i krimit të organizuar i njerëzve që të sjellin mallra me kontrabandë gjatë gjithë kohës, ka qenë nën kompetencën e tyre.

Kjo, sipas tij, fletë për një interes të veçantë për mbajtjen de fakto të strukturave paralele në atë pjesë, raporton knninfo.

“Këto struktura gjithmonë kanë qenë struktura të inteligjencë serbe, qoftë ato ushtarake, qoftë ato policore. Por, në të njëjtën kohë, ato kanë shërbyer edhe për komunikimin destruktiv me njerëz që kanë qenë në brendi të Kosovës”, theksoi, lidhur me këtë çështje ish-presidenti, Fatmir Sejdiu.

Lini një koment