Kapen për tender
OSHP dhe Komuna e Gjilanit në konflikt rreth një tenderi. Ndonëse jemi në sezonin dimëror, komuna e Gjilanit ende nuk e ka zgjedhur kompaninë për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve. Kjo ka ndodhur ngase Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) e ka anuluar për herën e tretë vendimin për dhënien e tenderit kompanisë “Magjistralja”, e cila fitoi në dy rundet si kompania me çmimin më të ulët.Zyrtarë të kësaj kompanie akuzojnë kryetarin e OSHP-së, për, siç thonë ata, eleminim me çdo kusht të kopmanisë së tyre në mënyrë që tenderi t`i jepet kompanisë tjetër “Tali” edhe pse kjo e fundit është për 100 mijë euro më e shtrenjtë. Ndërsa, kryetari i OSHP-së, Hysni Hoxha, nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje edhe pse RTK ka tentuar të marrë një prononcim për disa ditë radhazi.
Tenderi për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë sezonit dimëror në komunën e Gjilanit, është bërë mollë sherri ndërmjet të parit të Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe kryetarit të Organit Shqyrtues të prokurimit, Hysni Hoxha.
Ky i fundit ka urdhëruar me vendim të prerë komunën e Gjilanit për anulimin e këtij tenderi, me arsyetimin se kompania fituese është e papërgjegjshme. Kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, këtë veprim e sheh si të qëllimshëm, ngase, siç thotë ai, OSHP po tenton ta dëmtojë buxhetin komunal duke nxjerrë fituese kompaninë, e cila ishte me çmim 100 mijë euro më të lartë.
OSHP e ka kërcënuar komunën e Gjilanit se do ta dënojë me pesë mijë euro gjobë, dhe marrje të certifikatës së zyrtarit të prokurimit nëse nuk zbatohet vendimi i kryetarit të OSHP-së, Hysni Hoxha. Por, Qemajl Mustafa thotë se kjo tregon që në mënyrë indirekte OSHP po mundohet të bëjë trysni në komunë, për të shpallur fituese kompaninë favorite.
Me gjithë tentimin e RTK-së për disa ditë radhazi, që të marrë një prononcim nga kryetari i OSHP-së, Hysni Hoxha lidhur me anulimin e tenderit të Gjilanit, ai nuk ka pranuar të flas duke u mos dhënë asnjë sqarim rreth asaj se pse është anauluar vendimi.
E Fatlum Pireva, menaxher në kompaninë “Magjistralja“ nuk pajtohet me vendimin e OSHP-së, pasi që, siç thotë ai, kompania e tij e ka fituar tenderin dy herë në rivlerësim, sepse ka qenë me çmimin më të ulët.
Pireva thotë se vetë fakti që OSHP ka lëshuar urdhëresën pikërisht në ditën e njëjtë kur e ka pranuar ankesën nga kompania “Tali”, lë vend për dyshime se kryetari i OSHP-së po e mbështetet këtë të fundit, ngase, siç tha ai, është hera e parë që OSHP reagon posa merr vesh një gjë të tillë.
Ndërsa, pronari i kompanisë “Tali“ i cili është me çmim njëqind mijë euro më të lartë se kompania fituese, thotë se kjo e fundit nuk ka ofruar çmime reale.
Ndryshe, të dy kompanitë kanë lëndë në gjykata. “Magjistralja” ka një padi të ngritur në Gjykatën Ekonomike nga kompania “Tali” për një borxh rreth 30 mijë euro, ndërsa ndaj Florim Zukës nga kompania “Tali” është ngritur aktakuzë nga prokurori special, Johannes Pickert, i Prokurorisë Speciale të Kosovës për veprat penale, keqpërdorim i Autorizimeve Ekonomike, lidhje e kontratës së dëmshme dhe dhënie të ryshfetit./standardi.info