Jahjaga: Me Serbinë nuk po flitet për veriun
Prishtinë, 12 janar – Presidentja Atifete Jahjaga vlerëson se diskutimi me Serbinë për fatin e strukturave ilegale të shtetit fqinj në veri të Kosovës nuk nënkupton futjen e temës së veriut në dialog. Në një paraqitje të radhës para gazetarëve, e para e vendit ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka mbështetjen e saj, pasi që nuk ka formë tjetër të ndryshimit të Serbisë. Sipas Jahjagës, në takimin e radhës mes kryeministrave Thaçi dhe Daçiq do të flitet për shpërbërjen e strukturave ilegale të Serbisë, por nuk do të flitet për çështje të rregullimit të brendshëm.
“Ta shohim tash…”, ka thënë ajo pas insistimit të gazetarëve se diskutimi për strukturat e Serbisë në veri është dialog për veriun.
“Çështjet e rregullimit të brendshëm nuk janë pjesë e procesit të dialogut, sepse kjo është çështje e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, është çështje e ligjeve të Republikës së Kosovës, është çështje e qytetarëve dhe unë kisha thënë se nuk ka çështje të veriut, por kemi çështje që kanë të bëjnë me tri komunat në veri të territorit të Republikës së Kosovës që duhet të shtrihet sundimi i rendit e ligjit dhe eliminimi apo shpërbërja e të gjitha strukturave të cilat janë të nxitura dhe të cilat janë të financuara nga ana e shtetit fqinj, Serbisë”, ka thënë Jahjaga.
“Dialogu që po zhvillohet në Bruksel ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve. Nuk shoh ndonjë alternativë tjetër me të cilën do të detyronin Serbinë t`i përmbushte obligimet e saj karshi Kosovës dhe normave ndërkombëtare”, ka shtuar presidentja në një pritje të fillimvitit për gazetarët.