Kalo te lënda

Fatos Klosi madhëron figurën e Mehmet Shehut

f_0112111911133_mIsh-shefi i Shërbimit Informativ të Shtetit, Fatos Klosi apelon nevojën e vlerësimit të figurës së ish-kryeministrit komunist, Mehmet Shehu. Klosi e ka cilësuar Shehun “një figurë të madhe” dhe “një burrë shteti”, për të cilin sipas tij ka ardhur koha të marrë meritat që i takojnë.

“Figura e Mehmet Shehut duhet rivlerësuar por ky rivlerësim i historisë duhet bërë nga historianët dhe jo nga politika sepse sa herë politika fut hundët në histori nuk ndihmon të zbardhjen e të vërtetave por në mbulimin e tyre. Politika e ka shfrytëzuar luftën kundër komunizmit për kapital politik por 22 vite pas rënies së komunizmit tashmë dhe gjërat po qetësohen. E kam thënë dhe e përsëris se në gjykimin tim figura e Mehmet Shehut duhet të zërë vendin e duhur në histori. Ai është një figurë e madhe, ka qenë një burrë shteti”, deklaroi Klosi për “Gazeta Shqiptare” .

Dy ditë më parë në Tiranë shoqata atdhekulturore “Mallakastra”, organizoi në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar një aktivitet përkujtimor me rastin e 100-vjetorit të lindjes së ish-kryeministrit komunist, Mehmet Shehu.

E konceptuar më pak si një ceremoni, por më së shumti si një konferencë ku referuan historianë, artistë, veteranë të luftës dhe ish-partizanë të Brigadës së Parë Sulmuese, në këtë aktivitet u lëshuan me shumicë vlerësime për figurën e Mehmet Shehut, për kontributin e tij në veprimtarinë ushtarake dhe atë politike, gjatë Luftës Antifashiste, por dhe pas saj në rindërtimin e vendit.

Në panelin e përkujtimores së djeshme shquheshin politikani Sabit Brokaj, ish-kreu i SHISH-it, Fatos Klosi, Rustem Peçi, kryetari i komitetit të veteranëve të LANC-it, Xhafer Peçi, ish-partizan i Brigadës së Parë Sulmuese, deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Lutaj dhe aktori i humorit, Luftar Paja.

Ndërkohë nga një grup pjesëmarrësish dhe veteranë të luftës, u shtrua kërkesa që disa ditë më vonë të organizohej një tjetër takim i zgjeruar në Pallatin e Kongreseve, ku të diskutohet gjerësisht mbi misteret që rrethojnë “vetëvrasjen” e ish-kryeministrit të vendit, detaje të pathëna apo të shprehura gojarisht nga dëshmitarë okularë të ngjarjes, pasi sipas tyre është ende e turpshme që në këtë 100-vjetor të lindjes së Mehmet Shehut, ende mbështillet me mister akti i vdekjes së tij. /Telegrafi/

Lini një koment