PTK-ja privatizohet në tremujorin e këtij viti
Më gjithë faktin se Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së ka zgjatur prapë afatin për dorëzimin e ofertave për kompanitë e parakualifikuara deri më 31 janar të këtij viti, interesimi i investitorëve potencialë për privatizimin e kësaj kompanie mbetet i lartë, thonë autoritetet kompetente.
Arsim Bruçaj, menaxher i njësisë për implementimin e projektit, në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, konsideron se me gjithë zgjatjen e afatit, gjatë tre mujorit të parë të këtij viti pritet të përfundojë procesi i privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Ai madje shprehet se nuk ka shqetësim për shtyrje apo pezullim të mëtutjeshëm të privatizimit të kësaj kompanie.
“Interesimi i investitorëve mbetet i lartë. Pra nuk besoj se do të ketë ndonjë shqetësim në raport më interesimin e investitorëve. Interesimi i investitorëve mbetet ende i lartë. Deri më tani gjithçka po shkon sipas dinamikës së paraparë, nuk ka ndonjë shqetësim që rrezikon procesin apo shtyrjen. Kështu që i tërë procesi pritet të përfundojë brenda këtij tre mujori”, tha Bruçaj.
Përveç pesë kompanive të para kualifikuara vitin e kaluar, Bruçaj nuk tregon se a ka ndonjë kompani tjetër në këtë proces.
“Procesi ka shkuar në dy faza, faza e parë ka të bëjë më para kualifikimin. Ata investitorë të cilët janë para kualifikuar, si liderë them, ata kanë të drejtë të marrin pjesë në fazën e dytë të garës”, shprehet Bruçaj. /Indeksonline/