Kalo te lënda

PDK në Prishtinë, të shtunën zgjedh kryetarin

403x30243963Kuvendi-zgjedhor-i-PDK-se-dega-Prishtine-Laura-HasaniSekretari organizativ për zgjedhjet në PDK, Basri Musmurati, vlerëson se gara ka qenë demokratike dhe se të tre kandidatët janë të fortë.

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë të shtunën do t’i zgjedh strukturat e saj drejtuese. Shemsi Veseli, Lirak Çelaj dhe Memli Krasniqi, janë tre kandidatët që synojnë postin e kryetarit të degës së PDK-së në kryeqytet. Kjo garë është përcjellur edhe me lobime, por edhe me akuza të ndërsjella mediale mes kandidatëve.

 

Sekretari organizativ për zgjedhjet në PDK, Basri Musmurati, vlerëson se gara ka qenë demokratike dhe se të tre kandidatët janë të fortë.

 

“Gara është e fortë, sepse të tre kandidatët janë të fortë, dhe procesi që deri më tash ka shkuar ka qenë krejt në rregull, normal. Presim edhe këtu një garë të fortë, dhe sigurisht me vota nuk do të dallojnë shumë njëri prej tjetrit, por njëri do të bëhet kryetar”, tha Musmurati për Radio Kosovën.

 

Musmurati mohon të ketë pasur lobime përjashtuese në garën për kreun e degës së PDK-së në Prishtinë. Sipas tij, mbështetja nga qendra për të tre kandidatët ka qenë e njëjtë.

 

“Këta kandidatët që janë, zakonisht gjithkund kur ka më shumë kandidatë është krejt normale që ata lobojnë për vete, ndokund kanë krijuar ndoshta edhe grupacione për të lobuar për ta, por këto nuk janë parë haptaz. Nuk e përjashtoj një gjë të tillë edhe këtu në Prishtinë, por mbështetje dikush më pak e dikush më shumë nga qendra nuk ka, sepse aty vendos vota e lirë dhe ajo është e fshehtë”, u shpreh Musmurati.

 

Ndryshe, procesi zgjedhor nëpër degë të ndryshme të PDK-së, është përcjellur me një garë të ashpër, gjë që ka bërë që disa degë t’i zvarrisin zgjedhjet. Në këtë kuadër, dega e Gjilanit, është e fundit që të shtunën do ta mbajë Kuvendin Zgjedhor.

 

Nga ana tjetër, një garë e fortë është zhvilluar edhe në Drenas, ku sot Këshilli Drejtues do ta zgjedh kryesinë dhe kryetarin, ndërsa, dy degët tjera problematike, ajo e Prizrenit dhe e Vitisë, do t’i zgjedhin strukturat drejtuese javën e ardhshme.

 

Basri Musmurati thotë se janë duke u finalizuar përgatitjet për Kongresin e Përgjithshëm të PDK-së që është caktuar të mbahet më 26 janar./standardi.info

Lini një koment