Kapet edhe një hajn i veturave
Përfundon prapa grilave edhe një person tjetër i dyshuar për vjedhje serike të automjeteve në komunën e Ferizajt.
Burime policore kanë bërë të ditur të premten se R.J 42 vjeçar, i cili kohë më parë kishte ndërruar edhe emrin, dyshohet se në fund të dhjetorit, ka vjedhur dy vetura të tipit “Mercedes 124”, të cilat më pastaj ia kishte shitur një personi në Ferizaj, në shtëpinë e të cilit janë gjetur dhe konfiskuar të dyja veturat nga policia.
Zëdhënësi rajonal i policisë, togeri Agim Gashi, ka thënë se këto vetura ishin vjedhur në qytetin e Ferizajt, përkatësisht në rrugët “Dëshmorët e Kombit” dhe “Vëllezërit Gërvalla”.
Ndryshe, ditë më parë policia ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë një grup të rrezikshëm të hajnave të veturave. Ky grup që kishte vepruar në rajonin e Ferizajt, vetëm gjatë muajit dhjetor kishte kryer dhjetëra vjedhje të veturave, shumica e të cilave janë gjetur dhe u janë kthyer pronarëve.