Jahjaga sa më parë të largohet nga presidenca!
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri i është kundërpërgjigjur deklaratës së fundit të presidentes Atifete Jahajaga, se dorëheqja e saj vetëm se do ta thellonte krizën në Kosovë.
Beqiri për OraInfo ka thënë se, Jahjaga sa më parë duhet të dalë nga presidenca, në mënyrë që t’u hap rrugën zgjedhjeve të radhës.
“Deri sa është në detyrë ajo është presidente e vendit, ne e kemi të qartë këtë punë, por ajo është si rezultat i një marrëveshje edhe kur të vije koha ne e kemi paraparë që ajo duhet të shkoj, duhet të lejoj pozitën e presidentes dhe të mbahen zgjedhjet ashtu siç duhet me u mbajt. Askush nuk ja mohon të drejtën zonjës Jahjaga që të kandidon dhe nëse fiton ne ia urojmë”, është shprehur Beqiri.
Sipas tij, respektimi i marrëveshjeve do ta shpëtonte vendin nga kriza.
“LDK-ja është mësuar që ta nxjerr vendin nga kriza, nuk është LDK-ja që e qon vendin në krizë, gjithmonë kjo ka ndodh dhe nuk them që shkon vendi në krizë, por sidoqoftë po e them se marrëveshja duhet të respektohet. Kur ka marrëveshje nuk ka krizë”, ka pohuar Beqiri.
Ndryshe Jahjaga ka deklaruar sot se dorëheqja e saj, lere që nuk është e paraparë me marrëveshje, por ky veprim nuk do ta zgjidhte krizën, por vetëm sa do ta thellonte atë.