Kalo te lënda

H1N1 i pranishëm, por s’ka vend për shqetësim

Pamja_QKUK-600x400Përveç pacientes 37-vjeçare tek e cila është konstatuar virusi H1N1, e e cila ditë më parë është shtrirë në Klinikën Infektive në QKUK, nuk ka raste të reja të dyshuara dhe as të konfirmuara në QKUK me këtë virus. Zyrtarët shëndetësorë pohojnë se ky është një rast i izoluar dhe se nuk ka vend për shqetësim në këtë mes.

Shemsedin Dreshaj, drejtor i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) tha për Kosovapress se deri më  tani në QKUK është vetëm një paciente e prekur nga virusi H1N1 dhe se nuk ka pasur raste tjera të dyshimta dhe as të konfirmuara. Dreshaj pohon se gjendja e gruas së hospitalizuar, tek e cila është konstatuar prania e virusit H1N1, ende mbetet e rëndë, megjithëse ka pasur përmirësim në krahasim me ditët e kaluara. Megjithatë, ai thotë se janë të përgatitur në rast se do të ketë dhe raste të reja dhe se nuk ka vend për shqetësim.

“Jemi të përgatitur në këtë drejtim. Mirëpo aktualisht deri më sot nuk kemi raste tjera të dyshimta dhe as të konfirmuara. Kjo nënkupton se njëherë për njëherë ky mbetet vetëm si një rast i izoluar. Ne jemi të përgatitur që të ballafaqohemi dhe me epideminë në përmasa më të mëdha. …aktualisht nuk ka vend për shqetësim”, tha ai.

Ndërsa Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik  pohon se nuk ka nevojë për panik, pasi që edhe virusi H1N1 do të kalojë si grip i lehtë sezonal.

“Kjo që tani është paraqitur një rast i virusit H1N1 të zakonshëm, që është futur në gripin sezonal, është vetëm ajo maja e Ajsbergut, që nuk paraqet ndonjë rrezik të posaçëm. Që do të thotë se raste mund të ketë dhe do të ketë gjatë tërë sezonit të dimrit edhe H1N1, të cilat tashmë janë raste të zakonshme dhe në suaza të rasteve të gripit sezonal. Më nuk mund të themi se H1N1 është grip pandemik. Ai ka qenë gjatë epidemisë së vitit 2009-2010 dhe tani është inkorporuar si grip i zakonshëm, që qarkullon jo vetëm në Kosovë dhe Ballkan, por në të gjitha shtetet e rruzullit tokësor”, tha ai.

Ramadani thotë se Ministria e Shëndetësisë, në shtator të vitit 2012 i ka furnizuar me njëqind mijë doza të vaksinës për mbrojtje efikase nga gripi i zakonshëm dhe ai H1N1 dhe se akoma ka doza të mjaftueshme për mbrojtjen e popullatës së këtij vendi dhe për ata që kanë nevojë për këtë vaksinë, si të moshuarit, fëmijët dhe ata të cilët kanë një imunitet të dobët.

Ndryshe, pacientja 37-vjeçare nga Komuna e Prishtinës, e cila është prekur nga virusi i gripit të derrit, aktualisht po vazhdon trajtimin në Klinikën Infektive dhe se ky është rasti i parë i regjistruar për këtë vit./KP/Dukagjini.com

globi-vendore

Lini një koment