E zhagisin Ramushin
Zyrtarët e PDK’së nuk po i japin përgjigje Haradinajt në lidhje me kërkesën e tij për të qeverisur, edhe pse ai që nga lirimi nga Haga ia ka mësyrë postit të të parit të Qeverisë.
Madje, ambicien e tij për t’u bë Kryeministër Haradinaj nuk po lë ditë pa e përmendur. Të mërkurën ai sërish tha se do të ketë qeverisje të re.
“Unë besoj që do të ketë qeverisje të re së shpejti në Kosovë, kuptohet kalendari zgjedhor vlen. Pra, e kemi thënë edhe më herët këto dy procese nuk ndërhyjnë në njëri-tjetrin”, ka thënë Haradinaj.
Por, kjo as nuk po pohohet e as nuk po mohohet nga përfaqësuesit e Qeverisë aktuale.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, të mërkurën tha se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me cilëndo parti.
“Unë mendoj se partneriteti është i mirë për secilin vend dhe Qeveria e Kosovës po ashtu është e hapur për partneritet me secilin subjekt politik në nivel vendi”, tha Kuçi pas mbledhjes së kabinetit qeveritar.
Por, në vend të një përgjigje konkrete rreth mundësisë së lidhjes së koalicionit me AAK’në, Kuçi ka preferuar të përdorë lojëra fjalësh për t’i ikur përgjigjes.
Pasi tha që janë gatshëm të bashkëpunojnë me cilëndo parti, ai u tërhoq duke thënë se nuk dëshiron të flasë për koalicione mes partive nga foltorja e Qeverisë.
“Zakonisht nuk i komentoj qëndrimet e partive politike, sepse këtu jam si Qeveri, për parti duhet t’i pyetni në seli”, ka thënë Kuçi.
Më pas tha se koalicionet i bëjnë partitë e jo qeveritë. E, kur gazetarët ia kujtuan se është pjesë e PDK’së, madje nënkryetari i saj, Kuçi, dha këtë përgjigje: ”Nga pozicioni këtu nuk kam dal si nënkryetar i partisë”.
Problem tjetër për të arritur deri te përgjigja doli të jetë vendi ku iu parashtrua pyetja Zëvendëskryeministrit Kuçi.
“Në një vend tjetër mundeni me m’pyet dhe ua jap përgjigjen”, tha ai duke iu shmangur insistimit të gazetarëve.
“Unë thashë Qeveria nuk bën koalicion, por partitë politike”, shtoi Kuçi.
Shefi i tij ndërkaq, Hashim Thaçi, ka kohë që ia ka bërë me dije Ramush Haradinajt se nuk ia lëshon postin e Kryeministrit, siç kishte kërkuar ai në kudër të ofertës për bashkëqeverisje.
Thaçi pati paralajmëruar një ofertë tjetër për Haradinajn, të cilën ka thënë se do t’ia prezantojë pas zgjedhjeve në PDK. Këto pritet të përfundojnë në fund të janarit.
Mediet kishin raportuar se koalicioni PDK- AAK ka gjasë të arrihet në fillim të shkurtit të këtij viti, por pa konkretizime rreth ndarjes së posteve.
Kryeministri serb, Ivica Dacic, ndërkaq ditë më parë tha për mediet se Thaçi e ka siguruar atë se Haradinaj nuk do të jetë Kryeministër.
I pyetur rreth kësaj, zëvendësi i kreut të ekzekutivit, Hajredin Kuçi, ka preferuar të mos komentojë. Për këtë dha edhe arsyetimin e tij.
“Nuk besoj që ka nevojë kjo në mënyrë pezhorative me siguruar dikë tjetër. Absolutisht unë mendoj që çështjet e tilla janë të qarta dhe po ashtu duhet ta kem parasysh se Serbia nuk vendos kush është në Kosovë e kush jo, dhe bisedat e tilla që mund të jenë të përfolura apo ndryshe nuk duhet të jenë as objekt komenti”, ka thënë Kuçi./Express/ Dukagjini.com
